Ish – Ministrja e Integrimit dhe deputetja e Partisë Demokratike në tri legjislatura, Majlinda Bregu, përjashtoi çdo mundësi kandidimi për kryetare të PD-së, në kushtet e tanishme dhe shprehu mbështetjen për një kandidat dinjitoz, anti-Basha.

“Do mbështes këdo që do të jetë kandidat i mirë për garën, duke mos synuar as çarjen e votës për garën, që do të jetë kandidati më i mirë, por nga ana tjetër nuk mund të shprehem edhe flas për një garë që nuk ekziston, ne nuk jemi në kushte gare”

, tha Bregu, e ftuar në emisionin “Zone e Lirë” të gazetarit Arian Çani, në Televizionin Klan.  

E pyetur nëse do të jetë kandidate vetë, Bregu tha:

“Jo, po të them jo! Do mbështes këdo që do të jetë kandidat konsensual nga një grup i propozuar dhe në të cilin, unë kam besim se do ta çojë para PD-në në një qasje normale të drejtimit të saj.”

Bregu, e njohur si një ndër kritiket më të ashpra të kryetarit aktual të PD-së, Lulzim Basha, nga i cili u la edhe jashtë listave të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 25 Qershorit, tha se shqetësimi i saj nuk ishte me personazhin Basha, por me të ardhmen e PD-së.

“Nuk e kam më shqetësim personazhin Lulzim Basha, kam shqetësim atë që do të ndodhë dhe atë që po ndodh me Partinë Demokratike. Për fatin tim të keq nuk jam mbështetur nga kolegët, as kur i kam diskutuar këto gjëra. I kam para syve imazhet e kokave të ulura në mbledhjen e Grupit Parlamentar për problemin tonë kryesor. Shpresoj shumë që të jetë kuptuar nga të gjithë dhe besoj se ka qenë e qartë edhe prej kolegëve që kanë folur këto ditë. Kjo nuk është një betejë për të zëvendësuar Lulzim Bashën me një emër tjetër, kjo është një betejë për t’i ikur kësaj qasjeje katastrofike për drejtimin e partisë.

Partia Demokratike arriti rezultatin më të ulët historik duke fituar vetëm 43 mandate, në parlamentin me 140 deputete. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha shpalli ngrirjen e kompetencave të tij organizative, duke ua deleguar ato nënkryetarëve dhe sekretarit të përgjithshëm, për organizimin e zgjedhjeve në parti, më 22 korrik, kur edhe skadon mandati i tij 4-vjeçar.

Por Majlinda Bregu, Astrit Patozi, Jozefina Topalli dhe Arben Imami, mes shumë të tjerëve kërkojnë që Basha të japë dorëheqjen e parevokueshme për një garë demokratike në parti./tvklan.al