Njeriu prej mijëra vitesh nuk është ndalur së mbjelluri pemën e ullirit. Dikur mbillej në kodër, sot ka pushtuar edhe fushat, madje në Lushnje e gjen edhe në trotuare, në vend të pemëve dekorative.

Zona më e njohur për kultivimin e ullirit është fshati Shegas. Gjatë 20 viteve të fundit, kodrat janë mbushur me varietet e reja, kryesisht për vaj. Fshatarët trashëguan ullinjtë shekullorë pas ndarjes së tokës sipas ligjit 7501, ndërsa sot mbizotërojnë kultivarët e rinj. Pema më e rëndësishme e momentit dhe që kultivohet gjerësisht është ulliri.

Ullishtet janë kthyer ekonomia kryesore për familjet rurale të Lushnjes. Varietetet e huaja si Frantoj, Leçini, Kalinjot dhe vendase si Korronek, Mollës, Krips kokërrmadh etj, janë mbjellë kudo. Sot ato shihen si mundësia e artë e bujqësisë. Shumë fermerë kanë prerë drufrutorët dhe në vend të tyre kanë mbjelle ullinj. Nëpër fusha po shfrytëzohen për mbjelljen e tyre edhe tokat djerrë.

750 mijë rrënjë ullinj ka të mbjella vetëm Lushnja, nga të cilat 9500 rrënjë të reja janë mbjellë në 2024-ën. Ndërsa në Divjakë ka 174 mijë rrënjë, nga të cilat 3300 rrënjë të reja mbjellë në 2024. Drejtoria Rajonale Bujqësore, shtimin e sipërfaqjeve të tilla e lidh me faktin se vaji është produkt i sigurt për shitje, ndaj fermerët janë më të sigurt me ullishtet krahasuar me serrat perimore.

Duke u mbjellë kaq shumë ullinj, është rritur nevoja për krahë pune. Aktualisht jemi në sezonin e vjeljeve dhe familjet që kanë në pronësi mijëra rrënje, kërkojnë punëtorë për t’i vjelë. Nevoja solli edhe zgjidhjen. Prej dy vjetësh janë krijuar “Brigadat e vjeljes”.

Ato kanë deri në 10 persona dhe shëtisin nëpër fshatra duke u paguar mesatarisht 2500 deri ne 3000 Lekë për një ditë pune. Mosha e punëtorëve të brigadave fillon nga 50 vjeç deri ne 75 vjeç. Caush Deliu është një 70-vjeçar, pjese e brigadave të ullinjve. Ai tregon se përsa kohë gëzon shëndet do të punojë pavarësisht vështirësive që has. Kërkesat për punë shtrihen edhe nëpër qarqet e tjera të vendit.

Rritja e sipërfaqeve të mbjella me ullinj, nxiti hapjen e fabrikave të vajit. Ky biznes po rritet shpejt sa çdo sezon hapen fabrika të reja dhe moderne. 14 të tilla u hapën në Lushnje gjatë 3 viteve të fundit dhe puna e tyre zgjat tre muaj.

Sasia më e madhe e vajit te ullirit konsumohet nga tregu vendas, një pjesë e vogël eksportohet, ndërsa pjesa tjetër dërgohet me bidona plastikë të mëdhenj familjarëve në emigrim. Çmimi i shitjes varion nga 600 Lekë për litër deri në 700 Lekë për tregun vendas dhe 10 Euro litri për tregun e huaj.

Problemi i këtij viti është ndryshimi i peshës, nga litër në kg. Varietetet e rinj janë përshtatur me klimën, tokën dhe metodat e kultivimit. Muaji Nëntor është periudha më e mirë e vitit për të bërë vajin, i cili blihet direkt nga fabrikat e përpunimit me çmime të arsyeshme.

Klan News