Opozita jep alarmin se qeveria po shpërfill paralajmërimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar duke mohuar krizën në vend. Në një dalje për mediat kryetari i partisë socialiste Edi Rama paralajmëroi kreun e qeverisë të mos përsërisë gabimin e prag vitit 1996. Duke ofruar bashkëpunimin në përballimin e krizës, Rama i kërkoi numrit një të qeverisë që të mos bëjë shpenzime për qëllime elektorale, të mos thellojë borxhin për shpenzime si dhe të pranojë rënien ekonomike në vend.
Edi Rama: “Unë i bëj sot apel kryeministrit të mos e çoj vendin në qorrsokak duke bërë veshin shurdh ndaj kambanës së FMN-së dhe syrin qorr ndaj realitetit të ekonomisë shqiptare në krizë dhe dëgjoi thirrjet tona të përsëritura për ta kthyer buxhetin në realitet për të pranuar rënien ekonomike, për të mos rritur shkallën e rrezikut duke thelluar borxhin për shpenzime të papërgjegjshme elektorale. Për të mos aplikuar paga reference e gjoba abuzive me biznesin dhe për të themelet e shtetit të të gjithëve për interesat e pushtetit të disave.”
Ndërkaq LSI në lidhje me deklaratën e bërë nga FMN kërkoi që parlamenti të diskutojë urgjentisht një plan kombëtar antikrizë.
Ilir Meta: “LSI kërkon që parlamenti të diskutojë urgjentisht një plan kombëtar antikrizë në mënyrë që pasojat sociale dhe ekonomike të kësaj krize që ka përfshirë vendin tonë dhe që po thellohet çdo ditë të mos jenë të pakontrollueshme për qytetarët e vendit dhe për ekonominë tonë kombëtare.”
Reagimi i opozitës vjen pas deklaratave të bëra nga FMN-ja i cili vetëm tre javë nga rritja e planifikuar e rrogave dhe pensioneve, si dhe ulja e kontributeve shoqërore i kërkoi qeverisë shqiptare të tregohet e kujdesshme me kryerjen e shpenzimeve./tvklan.al