Banka e Shqipërisë vlerëson se në 6-mujorin e parë të vitit 2024 veprimtaria e sistemit financiar vazhdoi ecurinë pozitive. Sipas Guvernatorit Gent Sejko, turizmi vijon të jetë ndër sektorët kryesorë që kontribuon pozitivisht në ekonominë e vendit.
Gent Sejko, Guvernator i Bankës së Shqipërisë: Një element i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik që ndikon dhe në sistemin financiar ka qenë zhvillimi i turizmit. Turizmi ka ndikuar këtë vit sikurse edhe vitin tjetër pozitivisht në zhvillimin e sektorit financiar apo bankar dhe ky sektor është i ndërlidhur, pasi normalisht kreditimi ka ndikuar gjithashtu në zhvillimin e sektorit të turizmit.
Forcimi i lekut kundrejt monedhave të huaja ka patur efekt pozitiv në sektorin bankar, por dhe në fuqinë blerëse nënvizon Guvernatori Sejko.
Gent Sejko, Guvernator i Bankës së Shqipërisë: Rritja ekonomike ka qenë rreth nivelit 3.6% dhe norma e inflacionit ka mbetur rreth niveleve të 2.1%. Sigurisht që këtu ka ndikuar mbiçmimi i monedhës kombëtare, por edhe efektet e inflacionit të importuar forcimi i kursit të këmbimit të lekut kundrejt euros gjatë periudhës të sezonit turistik është një aproç historik, i cili gjithmonë sjell prurje, hyrje nga aktiviteti i turizmit. Praktikisht mbiçmimi i kursit të këmbimit ndikon në fuqinë blerëse të popullatës dhe është një element i cili ndikon pozitivisht në nivelin e inflacionit të targetuar që ne kemi.
Pavarësisht indikatorëve pozitivë të ekonomisë, Banka e Shqipërisë thekson se rreziqet e jashtme mbeten të pranishme, sidomos ato që burojnë nga pasiguria e zhvillimeve gjeopolitike.
Klan News