Ka nisur sot në të gjithë vendin shpërndarja e certifikatave elektronike.
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, zgjodhi qytetin e Lushnjës për të parë nga afër procesin.
Sipas tij së shpejti do të nisë implementimi i projektit për regjistrimin elektronik.
Bujar Nishani: “Ky është një akt, i cili së pari do të lehtësojë shumë ofrimin e këtij shërbimi për qytetarët shqiptarë, por mbi të gjitha është një hap i parë, por shumë i rëndësishëm për implemtimin e regjistrit elektronik të Gjendjes Civile.”
Edhe qytetarët e Shkodrës kanë provuar për herë të parë lehtësirat e pajisjes me certifikatat elektronike.
Ne asistuam me kamerën tonë në zyrat e Gjendjes Civile ku shumë qytetarë u pajisën me certifikata e reja.
Vera Gradeci: “Qytetarit i nevojitet më pas dokumentin identifikues të tij ose të një pjesëtari të familjes dhe të bëjnë kërkesën se për çfarë e do certifikatën. Procedurat tashmë janë shumë më të shpejta seç kanë qenë më përpara, ndoshta pesë minuta, ndoshta dhjetë minuta, varet kërkesa se sa certifikata ka personi për më i plotësuar. Përgjithësisht është shumë më mirë sesa çka qenë”.
Në ndryshim nga procedurat e mëparshme hedhja e të dhënave në certifikatë nuk bëhet me dorë, por nëpërmjet azhornimit elektronik që do të thotë se punonjësi shkruan vetëm emrin e personit, ndërkohë që të dhënat e tjera kalojnë automatikisht.
Printimi i certifikatave elektronike do të eliminojë radhët e gjata dhe procedurat e mbingarkuara./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani