Grupi parlamentar i Partisë Socialiste u mblodh këtë të mërkurë në një dëgjesë me deputeten Klotilda Bushka ku i pranishëm është edhe kryeministri Edi Rama pas dosjes së SPAK ndaj Erion Veliajt. E si pasojë e kësaj dosje, Prokuroria e Posaçme ka nisur hetime paraprake ndaj Bushkës për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Para kolegëve të saj, Bushka u shpreh se ka komunikuar me personin që përmendet në dosje, me të cilën ka lidhje gjaku, jo për të fshehur të vërtetën, por për ta qetësuar dhe këshilluar atë. Ajo theksoi se e ka marrë vesh që është nën hetim nga mediat dhe se nuk është thirrur e dëgjuar kurrë nga prokurorët e SPAK për t’u ballafaquar në lidhje me këto pretendime.
“Sa i përket pretendimit për pengim të së vërtetës. Po, unë e kam takuar vajzën në fjalë, si një person me të cilin kam punuar dikur dhe kam lidhje familjare, kam lidhje gjaku. Ina Goxhaj është kushërirë e imja. E kam qetësuar duke e këshilluar të thotë të vërtetën dhe nëse e gjykon të nevojshme të marrë avokat. Si juriste i kam sqaruar një kushërire, një të afërmeje të drejtat e saj, vetëm kaq. Nuk e kam penguar të thotë asgjë, as kam tentuar të fshehë ndonjë të vërtetë, sepse unë jam e para më e interesuara që e vërteta të zbardhet sa më parë dhe të jetë e tillë në sytë e publikut. E kam kritikuar në fakt kushërirën time për faktin se adresa e organizatës ku ajo kishte qenë drejtoreshë ekzekutive nuk kishte ndryshuar që nga viti 2017 edhe pse unë e kisha kërkuar disa herë këtë gjë. Nuk di ta shpjegoj çfarë mund të ketë ndodhur në prokurori, apo çfarë presioni, trysnie mund të ketë ndjerë kushërira ime që në deklaratat tona private ajo i ka sjellë me një kontekst tjetër. Kjo është e vërteta ime, por për ta rrëfyer këtë të vërtetë, unë kurrë nuk jam thirrur. Nuk jam dëgjuar. Unë kam mësuar siç e thashë se jam nën hetim nga shtypi, ashtu siç e keni mësuar dhe ju. Nuk jam thirrur, nuk jam dëgjuar ndonjëherë, nuk më është dhënë mundësia të ballafaqoj komunikime të të tretëve ku përmendet emri por unë vetë nuk jam pjesë fare”, tha Bushka.
Sa i përket marrëdhënies me Ajola Xoxën, Bushka u shpreh se ka bashkëpunuar me të që para se të bëheshe deputete, ndërsa Erion Velinë e ka “mik të fëmijërisë”.
“Jam krenare për punën që kemi bërë bashkë”, tha ajo.
Bushka u shpreh se ka qenë pranë Xoxës gjatë hetimeve të prokurorisë shpeshherë, ndërsa me Veliajn ka folur më rrallë për shkak të angazhimeve të kryebashkiakut. Ajo theksoi se gjatë hetimeve janë ngritur shqetësime për shkelje të procedurave.
“Pas kontrollit të zyrave dhe banesave të Ajolës dhe Erionit si he pas thirrjes nga prokuroria të një sërë bashkëpunëtorësh të Ajolës, disa prej tyre njerëz që i kam njohur që nga koha kur kanë bashkëpunuar artistë, apo ish-punonjës jam vënë në dijeni të një shqetësimi se ata janë intimiduar, kërcënuar për t’u marrë dëshmitë nën trysni. Disa prej tyre kanë treguar për mënyrën si janë marrë në pyetje, mbi statusin procedural me të cilin janë pyetur . Në fakt jo vetëm si e njohur, por edhe si njeri i ligjit dhe si deputete jam shqetësuar për disa shkelje të pretenduara të të drejtave individuale dhe elementeve të procesit të rregullt ligjor që u janë bërë këtyre njerëzve përfshirë edhe Erionin dhe Ajolën”, tha Bushka./tvklan.al