Partia Demokratike deklaron zyrtarisht se ligji i Vetting-ut është përkthyer qëllimisht me gabime për të manipuluar opinionin e Komisionit të Venecias. Dhe për autorësinë e variantit me gabime, opozita e drejton gishtin nga EURALIUS, referuar informacioneve që ajo thotë se ka marre nga Gjykata Kushtetuese.
Nënkryetari i komisionit të reformës në drejtësi, Oerd Bylykbashi flet për një fakt edhe më të rëndë. Ligji me gabime thelbësore në përkthim, – thotë ai – i është dërguar Komisionit te Venecias nga të tjerë, përpara se atë t’ia niste zyrtarisht Gjykata Kushtetuese.
Po në mënyrë të qëllimtë sipas Bylykbashit është vepruar edhe me tekstin e Kushtetutës.
Dyshimet përforcohen, sipas Partisë Demokratike, edhe për faktin se varianti i përkthimit me gabime i ligjit të vetting-ut, edhe pse i bërë nga EURALIUS, nuk gjendet në faqen e këtij misioni dhe se kur kërkohen shpjegime, ato nuk i jep EURALIUS.
Bylykbashi thotë se gënjeshtarët e reformës në drejtësi duhen kërkuar tek ata që e përkthyen ligjin dhe Kushtetutën me gabime.
Pavarësisht opinionit që pritet të japë Venecia (
lidhur me pyetjet që Gjykata Kushtetuese ka adresuar pranë këtij organizmi
,) fjala e fundit për kushtetutshmërinë e ligjit thonë demokratët i mbetet Gjykatës Kushtetuese.
Të mërkurën pritet që Komisioni i Venecias t’i shpërndajë një kopje konfidenciale të opinionit ambasadës së Bashkimit Europian, ndërsa në 9 dhjetor do të bëjë publik qëndrimin e tij./ Tv Klan