Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Futja në kalendarin e punimeve të Kuvendit, të miratimit të amendamenteve të kodit elektoral, ka sjellë reagimin e ashpër të disa prej partive të vogla. Sipas tyre, ndryshimi i kodit elektoral dëmton përfaqësimin e tyre në pushtetin vendor, pasi në zgjedhjet me një raund, partitë e vogla nuk mund të marrin vota të mjaftueshme për këshilltar bashkiak apo komunal.

Kodi i ri që pritet të miratohet me konsensusin e dy partive të mëdha, i çon të vegjlit detyrimisht në lidhjen e koalicioneve.

Fatmir Mediu:- “Sado të aftë të jenë anëtarët e komisionit të ligjeve, për të parë ku është e mira, ku është e keqja, të gjithë ne kemi nevojë për të debatuar çdo nen të këtij kodi, çdo paragraf i cili ka të bëjë me zgjedhjet dhe të drejtën e votës të qytetarëve shqiptarë. Kjo nuk ka të bëjë me kënaqësitë personale të një individi, apo të një force politike”.

Ekrem Spahia:- “Kalimi në seancën e datës 12, do të thotë, që këtu po përgatitet një puç institucional, në dëm të demokracisë dhe zgjedhjeve të ardhshme vendore. Nuk mund ta konceptojmë se si do të dilni ju para opinionit, duke vendosur veton në kurriz të pluralizmit real”.

Por socialistët dhe demokratët janë të vendosur, të miratojnë amendamentet e kodit, duke pasur edhe mbështetjen e OSBE-së.

Gramoz Ruçi:- “Vendimet e komisionit, quhen të miratuara kur votojnë “Pro”, përfaqësuesit e dy partive më të mëdha parlamentare. Ky problem e kemi vendosur që atë ditë dhe ne mblidhemi dhe e diskutojmë sot, një vendim që kemi nënshkruar vetë”.

Bamir Topi:- “Natyrisht i vlerësojë shqetësimet e kolegëve, por shumë miqësisht, do t’i thoja që dhe nga pikëpamja e metodologjisë së punës, gjerat realizohen njëherë brenda kllapës, pastaj veprimet midis kllapave. Kështu që, përderisa ky koalicion vazhdon të funksionojë, besojë që të gjitha mendimet duhet të dalin pikërisht nga ky koalicion”.

Sipas Kushtetutës, për miratimin e kodit zgjedhor duhen 84 vota, arritja e të cilave nuk duket problematike për PD dhe PS./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti