Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Në mbledhjen e byrosë parlamentare, opozita i kërkoi kryetarit të Kuvendit të japë dorëheqjen, pasi vetëm kështu nuk do të jetë nën presionin e kryeministrit për të thyer rregulloren e Kuvendit.

Bamir Topi: “Pra atë lloj dileme nëse ju do të jepni dorëheqje ose jo, natyrisht neve sot e forcojmë zërin tonë për t’ju thënë juve, që merrni vendimin për të cilin ju keni pasur dilema. Është në të mirën tuaj do të thoja, ua bëjë këtë thirrje drejtpërdrejt, mos bini më poshtë sepse presioni i kryeministrit ju ka futur në atë pozicion që ndoshta kur të mbarojë kjo legjislaturë dhe kur njeriu të tërhiqet në jetën private, do ta kujtoni si një ditë e errët për personalitetin tuaj”.

Servet Pëllumbi: “Po ju them, që unë dorëheqjen do ta japë atëhere, kur lideri juaj që vuan nga kompleksi Makbethian, të provojë, që unë para 50 e ca vjetëve paskam vrarë gjimnazistët në Korçë, pra në qoftë se ju mbështeteni në gjëra të tilla, unë po ju the, as kam ndërmend ta japë ndonjëherë dorëheqjen për gjëra të tilla. Dorëheqja është një çështje personale dhe mua nuk më rezulton në asnjë mënyrë dhe as nga grupi im parlamentar, apo mazhorancën që më ka votuar, që unë të kem përmbushur korniza të tilla, që të jem bërë i panevojshëm dhe i padëshirueshëm në krye të Kuvendit”.

Gramoz Ruçi: “Ka dëgjuar vetëm lumë zhargonesh, të një rrugaçi të rrugës, prandaj fike mikrofonin”.

Jozefina Topalli: “Gramoz më fal, më duket se ke kapërcyer çdo gjë, jo nuk e fik mikrofonin, merrni pak, shkoni deri në bibliotekë poshtë Gramoz dhe lexo mbi bisedimet parlamentare, që në parlamentin shqiptar janë zhvilluar që në 1920 dhe nuk quheshin kështu në atë kohë edhe pse fliste Fan Noli”.

Krerët e grupeve parlamentare të opozitës i kërkuan përfaqësuesve të mazhorancës në byro, që sipas premtimit të dhënë në mbledhjet e mëparshme, projektligji mbi ish-të përndjekurit dhe të dënuarit politikë gjatë sistemit komunist, të kalonte në seancën plenare të 17 Qershorit.

Zv/kryeministri Dokle kërkoi që pas vlerësimit të komisionit të Venecias, brenda 15 Qershorit, ky projektligj të diskutohej në seancën e 24 Qershorit, ndërsa mocioni për debat me kryeministrin kërkuar nga reformatorët, do të zhvillohet më 14 Qershor, me pretekstin se gjatë kësaj jave votohet ligji për pronat./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj