Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, zhvilloi një bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të BDI-së në Maqedoninë e Veriut, Artan Grubi, menjëherë pas përfundimit të negociatave me partnerin e tyre të koalicionit, LSDM-në.

“Kam shprehur urimet më të sinqerta për marrëveshjen historike që do të mundësojë për herë të parë një Kryeministër shqiptar në Maqedoninë e Veriut, qoftë edhe vetëm 100 ditë si fillim”, u shpreh Cakaj në një reagim në Facebook.

Gjithashtu, kryediplomati theksoi se përveç faktit se Kryetari i Kuvendit do të vazhdojë të jetë një shqiptar, mbetet arritje historike që diplomacia e Maqedonisë së Veriut do të udhëhiqet nga një shqiptar. Sipas Cakaj, marrëveshja e sotme hap një horizont të pashembullt për forcimin e shqiptarëve e zhvillimin e demokracisë në Maqedoninë e Veriut.

“Urime të gjithë shqiptarëve e falënderim të veçantë Ali Ahmeti e Artan Grubi për punën e vyer që kanë bërë në drejtim të forcimit të faktorit shqiptar, demokracisë e zhvillimit të brendshëm dhe proceseve euroatlantike në Maqedoninë e Veriut”, uroi ministri në detyrë Cakaj.

Në përfundim të postimit të tij, Cakaj siguroi se me Maqedoninë e Veriut do të vijojë bashkëpunimi i shkëlqyer dypalësh dhe puna e përbashkët në kuadër të NATO-s dhe drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian./tvklan.al