Nesër më 22 Maj, Shqipëria do të presë në një vizitë zyrtare ish-kryeministrin britanik, aktualisht Sekretar Shteti për Çështjet e Jashtme në qeverinë e kryeministrit Rishi Sunak, David Cameron. Ai do të pritet nga Ministri për Punët e Jashtme, Igli Hasani një aeroportin “Nënë Tereza”.
Cameron pritet të takojë kryeministrin Edi Rama dhe presidentin Bajram Begaj çka e bën këtë vizitë akoma edhe më të rëndësishme. Në qendër të diskutimeve do të jetë çështja e emigrantëve si dhe sistemi i drejtësisë apo lufta kundër krimit e korrupsionit.
Në një intervistë për Klan News gazetari Erblin Jaku tha se kjo vizitë është shumë e rëndësishme për vetë faktin që Britania po i jep një rol të veçantë politikave që lidhen me emigracionin. Sipas tij vizita e Cameron në Shqipëri simbolizon një politikë europianë për trajtimin e këtyre fenomeneve.
“Po kërkohet të trajtohet një politikë europiane e trajtimit të problemit të emigracionit dhe Shqipëria fatmirësisht, po themi, në këtë rast është pjesë e këtyre bisedimeve dhe është pjesë e kësaj vendimmarrjeje të përbashkët për të luftuar emigracionin,” thotë Jaku.
Diskutime për sistemin e drejtësisë dhe përparësitë që po bën shteti ynë në këtë fushë nuk kishin si të mos ishin në qendër të diskutimeve. Sipas gazetarit partnerët evropianë të Shqipërisë kanë qenë vazhdimisht të fokusuar të kontrollojnë mekanizmat që luftojnë krimin dhe korrupsionin, kështu që Shqipëria duhet të përmbushë kriteret e përcaktuara.
Erblin Jaku, gazetar: Vendet partnere që kanë investuar në institucionet shqiptare si SHBA apo Britania e Madhe, Be dhe Gjermania i kanë gjithmonë pika kryesore të vizitave të tyre dhe ata këmbëngulin herë pas herë, sa herë që vijnë në Shqipëri për të kontrolluar ose për të mbështetur në disa parametra që ata i vlerësojnë të rëndësishëm dhe që ne synojmë t’i arrijmë në rastin konkret siç është reforma në drejtësi apo sistemi i drejtësisë. Kështu që pa diskutim një suport i madh për sistemin e drejtësisë do të jetë pjesë e bisedimeve. Po duhet të kemi parasysh që nëse ne jemi duke folur që Shqipëria të jetë pjesë e një mekanizmi e një trajtimi evropian të emigracionit sigurisht që ne duhet të plotësojmë disa kritere.
Emigracioni ka qenë në fokus të politikave britanike, por nga ana tjetër është vënë re se ka një tendencë jo pozitive ndaj emigrantëve shqiptarë. Gazetari Erblin Jaku tregon se shumë ministra të Britanisë janë shprehur shumë kritikues dhe paragjykues për shqiptarët në tërësi. Sipas tij pasojat e deklaratave të tyre populli jonë po i vuan ende.
“Ministrja e Brendshme e Mbretërisë së Madhe bëri deklarata shumë të forta për shqiptarët dhe për komunitetin shqiptar në tërësi dhe reagimet në atë kohë ishin shumë të forta, siç ishin protestat, por ato nuk ishte vetëm pjesë e qeverisë së Rishi Sunak kritikat ishin pjesë e qeverisë edhe të Boris Johnson. Por disa ministra të brendshëm në vazhdimësi kanë patur qasje jo pozitive ndaj shqiptarëve nxitur nga këto numra të lartë të emigrantëve,” përfundon gazetari.
/tvklan.al