Zyrtari i Lartë Britanik David Cameron zbriti në Tiranë paraditen e së mërkurës për të nisur një vizitë disa orëshe në kryeqytetin shqiptar.
Pas pritjes nga ministri i punëve të Jashtme Igli Hasani, Cameron iu drejtua Kryeministrisë ku u prit nga kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama.
Pas takimit me dyer të mbyllura, Rama dhe Cameron dhanë një deklaratë për mediat.
Emigracioni i paligjshëm i shqiptarëve duket se nuk është një shqetësim aq i madh për Britaninë e Madhe.
David Cameron: Ka qenë një partneritet i mrekullueshëm, shumë pozitiv dhe shumë i arrirë dhe shpresoj se do të jetë shembull edhe për të tjerët sepse në të gjithë Evropën, problemi i migracionit të parregullt është një problem me të cilën hasen të gjithë dhe siç ju kam thënë edhe ministrave të tjerë të jashtëm, është një problem të cilën duhet ta përballoni ju. Në rastin e Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, ju keni treguar se jeni novatorë dhe krijues dhe në sajë të kësaj pune, arrini rezultate të shkëlqyera.
Ndërsa kryeministri Rama garantoi se kësaj problematike do t’i shkojë deri në rrënjë.
Edi Rama: Gadishmëria në dekurajimin e flukseve të këtij trafiku do të jetë maksimale edhe në vazhdim gjë që natyrisht lidhet edhe me vullnetin e përbashkët për t’i shkuar në rrënjë këtij fenomeni.
Përpos zgjidhjes së problematikës me emigracionin, Britania e Madhe ka shfaqur interes edhe për investime në infrastrukturë. Një prej tyre është financimi i hekurudhës Tiranë-Durrës.
Edi Rama: Mbretëria e Bashkuar ka shprehur interesin të përfshihet qoftë me financimin qoftë dhe me ekspertizën.
David Cameron konfirmoi angazhimin edhe për asistencë financiare dhe në ekspertizë në sistemin gjyqësor në Shqipëri.
David Cameron: Ne kemi gjithashtu një partneritet edhe sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe krimit të rëndë dhe me kënaqësi ne po ndihmojmë edhe modernizmimin e gjyqësorit tuaj ndërkohë që ju vazhdoni reformat tuaja.
Zyrtari i Lartë Britanik foli me entuziazëm për Shqipërinë, duke e konsideruar një histori suksesi, që sipas tij buron vetëm falë lidershipit të Edi Ramës.
David Cameron: Një prej arsyeve që doja të vija,është të festonim suksesin tuaj sepse është një histori suksesi, ju gjithashtu keni bërë një lidership të madh në Këshillin e Sigurimit. Keni dhënë një drejtim të qartë për atë se ku duhet të jetë Shqipëria në sferën e NATO-s dhe BE-së. Ka qenë është dhe do të jetë një nga partneritetet me pozitive për ne. Jo vetëm se keni fituar zgjedhje më shumë se unë, por keni dhënë shembull të qartë se ku duhet të jetë Shqipëria.
Teksa Cameron anuloi pjesën tjetër të axhendës, përfshirë dhe vizitën me presidentin Begaj, kryeministri Rama i mori garancinë se do të ketë një vizitë të dytë në Shqipëri.
Klan News