Pas një pauze dymujore, pritet që në ditët në vijim të rinisin operacionet për dërgimin e emigrantëve të shpëtuar në detin Mesdhe në qendrat e ngritura nga Italia në Shqipëri.

Sipas agjencisë zyrtare italiane të lajmeve ANSA anija patrulluese e marinës së shtetit fqinj Kassiopea është aktualisht afër ishullit siçilian të Lampeduzës gati që të transferojë emigrantët e shpëtuar në det.

Burimet e kësaj agjencie pranë qeverisë Meloni kanë konfirmuar faktin se në qendrat e Shëngjinit dhe Gjadrit, personeli italian është gati për të përpunuar kërkesat e azilkërkuesve.

Më 8 nëntor të vitit të kaluar anija “Libra” solli në portin e Shëngjinit 8 refugjatë, 6 me origjinë nga Egjipti dhe 2 nga Bangladeshi të cilët me vendim të gjykatësve italianë u kthyen në territorin italian.

Vendet e origjinës së tyre si Bangladeshi dhe Egjipti, nuk u konsideruan si të sigurta në të gjithë territorin e tyre.

Pavarësisht nxjerrjes së dekretit të veçantë për vendet e sigurta, disa herë qeveria italiane u ndalua nga gjykatat për të sjellë emigrantët nga Afrika e Veriut të shpëtuar në det drejt qendrave të ngritura në Shëngjin dhe Gjadër.

Më 30 Dhjetor 2024, Gjykata e Kasacionit në Itali i dha të drejtë kryeministres Meloni, e cila deklaroi asokohe se secili shtet ka të drejtë që të ketë një listë të personalizuar të vendeve të sigurta dhe të pasigurta.

Marrëveshja për strehimin e përkohshëm të azilkërkuesve është nënshkruar nga kryeministri Edi Rama, dhe homologia e tij italiane, Giorgia Meloni.

Tv Klan