5 nga 49 emigrantët që mbërritën sot në Shëngjin do të dërgohen në Itali mbrëmjen e sotme. Nga informacionet që korrespondenti i Tv Klan, Martin Marku ka arritur të sigurojë, një pjesë e emigrantëve të kthyer janë minorenë dhe pjesa tjetër ka shfaqur probleme shëndetësore.

Nuk ka informacione nëse do të ketë persona të tjerë që do të kthehen në shtetin italian pasi grupet e tjera që ndodhen në qendrën pritëse po i nënshtrohen procedurave të regjistrimit dhe kontrollit shëndetësor.

Ndërkohë, një pjesë e emigrantëve që ndodheshin prej orës 11:00 të ditës së sotme në qendrën pritëse në Shëngjin janë dërguar në kampin e Gjadrit. Ata mbërritën mëngjesin e sotëm në Shqipëri së bashku me 45 emigrantë të tjerë me anijen ushtarake italiane “Cassiopea”.

Grupi i tretë i emigrantëve të paligjshëm që mbërriti këtë të martë në Shqipëri erdhi pas 2 muajsh pezullim për shkak të vendimeve të gjykatave në Itali që urdhëruan në dy rastet e para, dërgimin e emigrantëve në vendin fqinj.

Kjo pasi Gjykata e Romës nuk konfirmoi si të ligjshëm ndalimin e tyre. Emigrantët e paligjshëm mbërritën në Shqipëri në kuadër të marrëveshjes Rama-Meloni firmosur në Nëntor 2023./tvklan.al