Bashkimi Evropian vlerëson se rajoni i Ballkanit ka bërë hapa përpara në kuadër të integrimit evropian.

Konfirmimi vjen nga shefja e diplomacisë së BE-së, Cathryn Ashton, e cila foli mbi vizionin e ri demokratik të bllokut 27 anëtarësh përpara europarlamentarëve në Strasburg.

Cathryn Ashton: “Ne nuk mund t’ia lejojmë vetes të dështojmë, sidomos në Ballkan. Në një farë mënyre ky rajon është vendlindja e Bashkimit Evropian. Blloku 27-anëtarësh ka bërë hapa përpara në procesin e liberalizimit të vizave në një kohë që qëllimet kryesore do të jenë vendosja e marrëdhënieve të mira të punës me të gjithë liderët politikë si dhe bashkëpunimi mes aktorëve të ndryshëm të BE-së në terren”.

Ashton tha se progresi drejt anëtarësimit do varet nga përkushtimi ndaj reformave brenda vendit, respektimi i të drejtave të njeriut dhe sundimi i ligjit si dhe bashkëpunimi rajonal.

Qëndrimi i shefes së diplomacisë së Bashkimit Evropian vjen në të njëjtën linjë me ministrat e jashtëm të BE-së, të cilët me propozim të ministrave spanjollë dhe italianë, Moratinos dhe Frattini do mblidhen në Qershor në Sarajevë për të rikonfirmuar perspektivën evropiane të rajonit.

Një ditë më parë Ministri i Jashtëm italian, Franco Frattini, tha se heqja e regjimit të vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën është e vetmja mënyrë për të siguruar qëndrueshmëri përfundimtare në Ballkanin Perëndimor.

Parlamenti evropian miratoi një rregullore të re për vizat, e cila lehtëson lirinë e lëvizjes për qytetarët jo evropianë.

Rregullorja u miratua me 562 vota pro dhe vetëm 29 kundër në bazë të raportit të europarlamentarit, Carlos Coelho, e do t’u hyjë në fuqi më 5 Prill.

Me legjislacionin e ri një shtetas evropian që mban një vizë afatgjatë të tipit D mund të udhëtojë në vendet Shengen pavarësisht se në cilin shtet hyn fillimisht, pra një vizë afatgjatë me të drejtë qëndrimi më tepër se tre muaj do ketë të njëjtin efekt si leja e qëndrimit.

Parlamentarët thanë se liria e shtuar e lëvizjes nuk duhet të përbëjë rrezik për Bashkimin Evropian pasi janë në funksion të gjitha sistemet e kontrollit./tvklan.al