Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Partia Demokratike duhet të paguaj të gjitha dëmet që shkaktojnë protestuesit nëpër mitingje kundër godinave qeveritare. Kryekomisioneri për Rendin dhe SHIK-un Neritan Ceka, kërkon që këto para t’i mbahen PD, nga fondi që i jep buxheti i shtetit.
Neritan Ceka, Kryetar i PAD:- “Unë mendoj që ka një masë të thjeshtë, mitingjet do të vazhdojnë dhe kjo është pjesë e dremokracisë, por kjo është edhe ekonomi tregu, duhet të paguajnë për policinë që angazhohet, për makinat e policisë që i kanë shkatërruar, për xhamat që thyen, edhe për ndalimin e trafikut. Propozimi im është i qartë, të gjobitet PD, të bëhet ligji në parlament, siç ka qenë parashikuar për gjobat, në rastet e shkeljeve të ligjit për tubimet dhe t’i mbajnë këto para nga fondi i vitit të ardhshëm”.
Përpara nisjes për në Parlamentin Europian në Bruksel, kryesocialisti Nano, ka evituar komentet e tepërta për djegien e dyerve të kryeministrisë. Ai shpreson se shiu do t’i ndal protestat.
Fatos Nano, Kryetar i PS:- “Mitingashët janë duke u lagur vazhdimisht”.
Kundër dhunës në mitingje, janë shprehur edhe republikanët.
“Partia Republikane, dënon çdo lloj dhune të përdorur në çdo lloj proteste. Është detyrë e PD të kontrollojë, çdo lloj dhune që ushtrohet në këto protesta, me qëllim që mos të lejojë përdorimin e dhunës”./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame