Java e 18-të regjistroi rezultate surprizë në Kategorinë e Parë. Besa nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 ndaj Burrelit, në debutimin e trajnerit Emiljano Çela.
Hap fals i kavajasve në garën për kreun. Ferruku i dha avantazhin Burrelit në minutën e 11-të, ndërsa për verdhezinjtë barazoi Nurja në minutën e 64-t. Ky barazim e mban Besën në vendin e tretë me 39 pikë, tetë pikë më shumë se Burreli i vendit të katërt.
Vora nuk zhgënjeu në shtëpi ndaj Kastriotit, duke fituar 3-2. Golat e Ruzgis, Bardhit dhe Tabakut, i dhanë tre pikët skuadrës së Bellait, e cila mban kryesimin me 44 pikë. Kastrioti renditet i pesti me 26 pikë.
Fitore të pastër regjistroi Flamurtari, që mposhti 3-0 Korabin. Me këtë sukses, vlonjatët mbajnë vendin e dytë me 42 pikë të grumbulluara.
Në sfidën tjetër, Apolonia zhgënjeu ndaj Valbonës, duke barazuar pa gola në shtëpi. /tvklan.al