Përveç pakësimit të numrit të banorëve, në 2,402,113, struktura e popullsisë është plakur me ritme të shpejta. Të dhënave të Censit 2023 tregojnë se mosha mesatare e popullsisë ka arritur në 42.5 vjeç duke u rritur me 7 vjet nga viti 2011, ku ky tregues ishte 35.5 vjet.
Madje, plakja e popullsisë ka tejkaluar edhe projeksionet e popullsisë së INSTAT për vitin 2031, që kishte parashikuar që mosha mesatare e popullsisë të arrinte në 42.1 vjeç pas tetë vitesh. Raporti i popullsisë së vjetër ndaj të rinjve është rritur ndjeshëm për shkak të uljes së lindjeve dhe emigracionit.
Të dhënat e Censit 2023 tregojnë se një në pesë individë, ose 19,7% janë 65 vjeç e lart, krahasuar me një në nëntë individë ose 11,3% në Censin e vitit 2011, dhe nga 7,5% që ishte në Censin e 2001.
Një tjetër ndryshim që vihet re në censin e 2023, është edhe tkurrja e madhësisë së familjeve, e cila tregon për rënien e ndjeshme të numrit të lindjeve. Numri i Njësive Ekonomike Familjare ishte 755.950 dhe madhësia mesatare u vlerësua 3,2 anëtarë, pra familje të përbëra kryesisht nga prindërit dhe një fëmijë.
Në Censin e vitit 2011, madhësia mesatare e njësisë ekonomike familjare ishte 3,9 anëtarë. Gjë që tregon se në këtë dekadën e fundit shumica e çifteve zgjedhin të bëjnë 1 fëmijë, dhe jo më 2, duke e ulur koeficientin e fertilitetit në 1.2 lindje për grua në moshë riprodhimi.
Bërthamat familjare më të shpeshta përbëheshin nga çifte të martuara ose bashkëjetues me fëmijë, 52,2%, e ndjekur nga çifte të martuara ose bashkëjetues pa fëmijë, 37,5%, ndërkaq prindërit e vetëm me fëmijë përbënin vetëm 10,3% të tyre.
Shumica e Njësive ekonomike familjare, 82,5% janë pronarë të banesës, 8,8% jetojnë në banesa me qira, ndërsa 8,7% me marrëveshje tjetër banimi të pronësisë.
Klan News