Topi: gjyqtarët e lartë larg ndikimit politik

Gjashtë anëtarëve të rinj të gjykatës së Lartë u është dorëzuar në presidencë dekreti për emërimin e tyre në këtë funksion. Një ceremoni që kryetari i shtetit zgjodhi për të drejtuar kryesisht mesazhe për drejtësinë në veçanti për organin e shkallës më të lartë të ushtrimit të pushtetit gjyqësor.

Arjana Fullani, Aleksandër Muskaj, Evilina Qiriako, Guxim Zenelaj, Majlinda Andrea dhe Andi Çeliku janë tashmë zyrtarisht anëtarët e Gjykatës së Lartë, pasi kanë marrë dhe më parë bekimin e kuvendit. Krahas mesazheve për drejtësinë presidenti nuk harroi, por me nuanca të buta t’i rikthehet debatit që përfshiu procesin e përzgjedhjes së gjyqtarëve të lartë. Transparenca ishte për kryetarin e shtetit kryefjala e gjithë procesit.

Bamir Topi: “Kriteret e standardeve profesionale dhe jo vlerësimet e politizuara e të nxitura e ndonjë rast edhe emocionale duhet të shoqërojnë dhe të kurorëzojnë procese të tilla kushtetuese dhe institucionale.”

Për 6 anëtarët e rinj presidenti përcolli këtë mesazh:

Bamir Topi: “Dinjitet dhe profesionalizëm. Nocioni dinjitet kërkon, që në punën tuaj të mos lejoni interferenca nga pushtetet e tjera, as edhe nga emra të përvetshëm pushtetarësh, interesat e të cilëve preken apo marrin zgjidhje në gjykatën e lartë. Begraundi i larmishëm nga i cili ju vini nuk duhet të paracaktoi sjelljen tuaj në të ardhmen.”

Pas procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të gjykatës së Lartë çfarë mbetet është zgjedhja e kreut të saj, ky i fundit do të zgjidhet nga radhët e këtij organi kushtetues dhe kryetari i shtetit do të duhet të ndjekë të njëjtën procedurë, dekreti i tij duhet të marrë sërish aprovimin e kuvendit./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi

Operator: Isdor Rudho