Kanë festuar në këtë mënyrë diplomimin e tyre 200 studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale. Studentët e filozofisë e sociologjisë, punëve sociale, psikologjisë dhe për herë të parë 26 studentë të shkencave politike kanë marrë diplomat e tyre në një ceremoni jo të zakontë të zhvilluar në auditoret e reja të Fakultetit të Shkencave Sociale.
Shezai Rrokaj: “Të gjithë së bashku jemi mbledhur për të kurorëzur punën tuaj që ka kaluar në një mijë mundime, shqetësime, ankthe, gëzime, prandaj me këtë rast unë dua të përshëndes punën tuaj në radhë të parë, por edhe punën e stafit të këtij fakulteti.”
Ylli Pango: “Jemi mbledhur gjithashtu për të festuar evenimentin mjaft të gëzuar, ndonëse të përvitshëm, por gjithnjë emocionant, të diplomimit të studentëve që përfunduan studimet në fakultetin tonë. Ne sot diplomojmë mbi 200 diplomantë të rinj.”
Ndërsa rreth 50 studentë të degës së psikologjisë në shenjë proteste ndaj pedagogëve të tyre kanë preferuar të mos bashkohen me shokët e tyre në ceremoninë e dorëzimit të diplomave dhe kanë zgjedhur të festojnë të ndarë. E gjithë kjo, pasi sipas tyre, në mënyrë të padrejtë, në provimin e diplomës iu është dhënë një test i vështirë, i cili eksperimentoi për herë të parë në këtë degë dhe si rezultat nota më e lartë e marrë gjatë provimit ka qenë nota 7. Megjithëse kanë pranuar tashmë notën e shkruar në diplomë, studentët nuk janë pajtuar me pedagogët e tyre dhe kanë zgjedhur një lokal për të festuar ndarjen e tyre nga auditoret e fakuletit./tvklan.al