Burg për katër të akuzuarit: Kishin qëllime politike
18 muaj burg që konvertohet në 3 vite shërbim prove ka kërkuar Prokuroria për ish-deputetin Ervin Salianji, i akuzuar për kallëzim të rremë për dosjen “Babale”.
Për Albert Veliun, i njohur ndryshe si “Babalja”, mbi të cilin rëndon edhe vepra penale e kalimit të paligjshëm të kufirit, dy prokurorët e çështjes, Kol Hysenaj dhe Genc Qano kërkuan 3 vite e 6 muaj burg.
Për Fredi Alizotin u kërkua 3 vjet burg, ndërsa gazetarin Jetmir Olldashi 1 vit burg, i konvertuar në 200 orë punë publike.
Sipas prokurorëve, të katërt të akuzuarit, për qëllime politike kanë krijuar një provë të rreme përmes një audio-përgjimi se Geron Xhafajn, vëllai e ish-Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ka kryer vepër penale të trafikimit të lëndëve narkotike.
Seanca u ndoq nga ish-deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, të cilët e cilësuan kërkesën e prokurorisë si politike.
Të njëjtin qëndrim mbajti edhe kreu i opozitës Lulzim Basha, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku akuzoi Kryeministrin Edi Rama se po rikthen gjyqet politike. Në kundërpërgjigje, kreu i Grupit Parlamentar të socialistëve, Taulant Balla, e cilësoi ripërsëritje ogurzezë ndaj drejtësisë qëndrimin e Bashës, që sipas tij godet një ndër prokurorët e dosjes së kontratave të lobimit, Kol Hysenajn.
Pas publikimit të audio-përgjimit, Agron Xhafaj u dorëzua tek autoritetet italiane për të vuajtur një dënim për trafik droge.
Seanca e radhës do të jetë më 18 Dhjetor, ku gjykata do të dëgjojë argumentet e palës së akuzuar.
Tv Klan