Gjykata e Tiranës rrëzon prokurorin e çështjes Durrës-Kukës duke i cilësuar veprimet e tij arbitrare dhe të kundraligjshme. Gjykata:

Fatmira Hajdari: “Vendosi pranimin e kërkesës me numër 1623 të aktit të datës 26/11/2008 me kërkuesin Lulzim Basha, deklarimin e pavlefshëm të akteve procedurale gjatë hetimeve paraprake si… e datës 24/11/2008 deklarimin e pavlefshëm të aktnjoftimit të akuzës të datës 27/11/2008 përsëri në Prokurorinë e Përgjithshme Tiranë si dhe pavlefshmërinë e akteve të mëpasshme të ndërmarra nga prokuroria që varen nga aktet e deklaruara të pavlefshme”.

Me ndërprerjen e afateve të hetimit dhe me vendimin e fundit çështja Durrës-Kukës rezulton të jetë nisur drejt Gjykatës së Lartë nga ana e prokurorisë mbi bazën e akteve të pavlefshme, çka ligjërisht shkakton pamundësinë e gjykimit të kësaj dosje në këtë institucion.

Në kërkesën e tij drejtuar gjykatës Lulzim Basha kërkoi pavlefshmërinë e fletëthirrjes në datën 24 Nëntor në Prokurorinë e Përgjithshme si dhe atë të aktit të njoftimit të akuzës vetëm pak ditë më pas.

Fatmira Hajdari: “Një herë nëse gjykata vendos, nuk vendos ti. Ti je palë”.

Arben Kraja: “Unë kam të drejtë të shpreh mendimin që kam unë”.

Fatmira Hajdari: “Ti je palë. Gjykata vendos, më vjen keq. Ti s’mund të marrësh rolin e gjyqësorit tani.”

Arben Kraja: “Ju s’mund të impononi të them atë që unë nuk e them dot”.

Fatmira Hajdari: “Të lutem. Mbaj pozicionin tënd dhe bazohu procedurës”.

Arben Kraja: “Të thashë nuk kam asgjë tjetër për të thënë”.

Fatmira Hajdari: “Në gjykim nuk ka inat. Në gjykim ka të drejtë. Jepet vetëm drejtësi”.

Arben Kraja: “Nuk kam asgjë. Unë nuk bëhem pjesë e një procesi kur gjykata s’është kompetente. Kam ardhur thjesht të respektoj gjykatën, për fletëthirrje…”.

Debati mes gjyqtares Fatmira Hajdari dhe prokurorit Arben Kraja ndonëse jo me tone të larta ka patur si objekt serish kompetencën e kësaj gjykate për t’u shprehur për këtë kërkesë të ministrit Lulzim Basha.

Tashmë që dosja Durrës-Kukës ka përfunduar për gjykim në Gjykatën e Lartë sipas prokurorit nuk është më kompetencë e kësaj gjykate të shprehet për pavlefshmërinë e akteve të ndërmarra nga prokuroria ditë përpara se dosja të përfundojë në këtë gjykatë.

Kujtojmë se kërkesë-padia e avokatit të ministrit Basha në shkallën e parë u bë në datën 26/11/2008, ndërsa dosja e çështjes Durrës-Kukës u dorëzua në Gjykatën e Lartë në datë 5/12/2008.

Pritet që në datën 23 Dhjetor në Gjykatën e Apelit të nisë shqyrtimi i vendimit të gjyqtarit Sokol Tona, i cili shpalli pezullimin e zgjatjes së afateve të hetimit për çështjen Durrës-Kukës.

Prej ditësh opozita po bën publike fakte nga dosja hetimore mbi përfshirjen e ministrit Basha në këtë çështje, duke ndërhyrë drejtpërdrejt në çështjet e organeve të drejtësisë në një kohë kur drejtësia ende nuk e ka dhënë verdiktin e saj./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani