Kriza politike që përfshiu mazhorancen dhe opozitën për çështjen e kartave të identitetit, duket të jetë në prag të zbutjes dhe palët kanë dhënë shenjtat e para të një kompromisi të mundshëm. Burime të sigurta për televizionin Klan kanë deklaruar se negociatat e nisura po vazhdojnë ende dhe se në parim është rënë dakord mundësia e pajisjes me karta identiteti për qytetarët pa pasaportë kundrejt shumës prej 200 lekësh.

Te njëjtat burime sqarojnë se diskutimet për zgjedhjen e detajeve teknike të çështjes po vazhdojnë ende në nivel ekspertesh për të dalë në këtë mënyrë përfundimisht nga kriza që shkaktoi dhe bojkotimin e parlamentit nga ana e opozitës në shenjë proteste.

Ndërkaq nisja e negociatave për ti dhënë zgjidhje kësaj çështjeje u bë i ditur nga Zëri i Amerikës një ditë më parë i cili sqaroi se gjithçka u bë e mundur falë ndërhyrjes se përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar.

Po sipas VOA-s zgjidhja duket se ka ardhur pas takimeve të një grupi ambasadorësh, atij amerikan, të Komisionit Europian, të OSBE-së dhe asaj çeke që mban presidencën e radhës së BE-së , me kryeministrin Sali Berisha dhe kryetarin e PS Edi Rama.

Në parim, shkruan “Zëri i Amerikës” si kryeministri ashtu dhe kryetari socialist kanë rënë dakord që të bashkëpunojnë për një zgjidhje të shpejtë edhe për formulën./tvklan.alGazetare: Jolldiz Mitro