Në opinionin e tij për rastin e mandatit të deputetes socialiste, Olta Xhaçka, Komisioni i Venecias ka arritur në përfundimin se Parlamenti nuk është i detyruar të votojë në një mënyrë të caktuar, por gjithsesi thuhet se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet që të zbatohen.
Sipas Venecias, parimi që deputetët janë të lirë të lirë të votojnë sipas bindjeve të tyre është konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese shqiptare me vendimin nr. 44/2011.
“Nuk mund të ketë përjashtim nga parimi themelor i demokracisë përfaqësuese, sipas të cilit mandati politik i deputetit është i lirë dhe i parevokueshëm dhe deputeti nuk mundet ligjërisht të detyrohet të votojë në një mënyrë të caktuar. Kushtetuta mund të përjashtojë disa çështje nga vendimmarrja e Parlamentit (çështje që nuk hidhen në votim), por nëse Kushtetuta parashikon kompetencën e Kuvendit të vendosë (të votojë) për një çështje, kjo votë duhet të jetë e lirë të jepet nga secili deputet e nuk mund të diktohet.”
Komisioni i Venecias analizon detyrimin e zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese si parim i shtetit të së drejtës dhe parimit të besnikërisë ndaj kushtetutës. Sipas ekspertëve të këtij komisioni, vetë qëllimi i Gjykatës Kushtetuese është që të kufizojë shkeljet e mundshme të ligjvënësit ose pushteteve të tjera shtetërore.
“Kur aktgjykimi i një Gjykate Kushtetuese interpreton Kushtetutën si kufizim i fuqisë vendimmarrëse të Parlamentit, ky i fundit duhet të miratojë atë. Pajtueshmëria e të gjitha autoriteteve me vendimet e Gjykatës Kushtetuese është bazuar në parimin e besnikërisë kushtetuese si element i shtetit të së drejtës. Përputhshmëria e tillë nuk duhet të kushtëzohet me votën e shumicës parlamentare, por është thelbësore bazuar në kërkesën e shtetit të së drejtës.”
Sipas Komisionit të Venecias, kompetenca e Gjykatës Kushtetuese, si një organ gjyqësor dhe jo politik, nuk duhet të shkelë/cënojë domainin/rolin e legjislatorit kushtetues, Parlamentit që ka të drejtën e krijimit të normave. Mazhoranca socialiste nuk e dërgoi fillimisht në Gjykatën Kushtetuese, mocionin e 1/10 të deputetëve për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Xhaçka.
Gjykata Kushtetuese nuk dha askohe vendim përfundimtar duke e pushuar çështjen me argumentin se Gjykatën duhet ta kishte vënë në lëvizje Kuvendi. Komisioni i Vencias shpreh mendimin se dy vendimet e dhëna nga Gjykata Kushtetuese për mandatin e Xhaçkës nuk duheshin kondicionuar nga votimi në Kuvend për zbatimin e tyre.
Klan News