Në këtë realitet të tejmbushur nga njoftimet, reklamat e çdo gjë tjetër jetesa është e lodhshme, saqë ndonjëherë të duket dhe e mërzitshme. Të rrish pa televizor, pa telefon në duar, ndonjëherë përbën një zgjidhje për t’u shkëputur nga realiteti, teknologjia dhe për të përqafuar kujtimet, të shkuarën, të cilat harrohen nga vrulli i përditshmërisë.
Por, nëse kthehemi pas në kohë dhe aq më tepër në realitetin e viteve ’70-’80, njerëzit përpiqeshin me çdo forcë që të kishin në shtëpitë e tyre një radio, apo nëse do të shkonim më larg një televizor.
Si brez i rritur fillimisht në shoqërinë e radios dhe më pas të televizorit, të ftuarit në studion e “Rudina” në Tv Klan ndaj kujtimet e tyre. Ata kujtojnë se si nëpërmjet radios mësuan gjuhë të huaja, morën këshilla mjekësore dhe u njohën ‘fshehtas’ me botën moderne. Por, me daljen e televizorit në treg, një pajisje “joshëse” shqiptarët ishin në “luftë të ftohtë” me njëri-tjetrin se kush e kush ta blinte i pari. Erieta Koliqi Gajtani ndan të njëjtin përjetim.
Rudina Magjistari: Doja të më sillnit pak ato kujtimet e hershme. Po të kthehemi pas në vite ka pasur familje shqiptare që nuk kishin televizor. Shumë herët në vitet ’70 ndoshta dhe në ’80-ën. Pra momenti kur ju keni lindur, brezi pak më i hershëm në studion tonë, keni pasur televizor në shtëpi?
Erieta Koliqi Gajtani: Jo vonë!
Rudina Magjistari: Keni pasur radio besoj. Keni lindur me radio në shtëpi, por jo me televizor.
Erieta Koliqi Gajtani: Me radion kemi lindur.
Armand Xhuli: Çdo shtëpi, mendoj unë katundi sado lart në mal e kishte një radio.
Rudina Magjistari: Radioja e fshatit aty tek shtylla.
Armand Xhuli: Unë me televizor jam bërë diku nga viti 1970, por me radio jemi rritur. Me radio kemi mësuar gjuhë të huaj, me radio kemi mësuar përrallat. Me radio kemi mësuar sesi tregohen përrallat. Nga radio kemi marrë këshilla mjekësore nga Hamdi Sulçebeu.
Rudina Magjistari: Erieta si e kujton ti momentin kur ka ardhur për herë të parë televizori në shtëpinë tuaj? E mban mend?
Erieta Koliqi Gajtani: E mbaj mend shumë mirë sepse edhe me radion ishim shumë të lidhur dhe mami. Por, televizori u morr kur ne u rritëm pak. Unë u futa në punë dhe kanë qenë atëherë të famshmet lotaritë që organizonin gratë e ndërmarrjes, mblidhnin lekët. Me atë shumë të lekëve ti do të merrje televizorin. Merreshe në fillim autorizmi nga ndërmarrja që të jepte të drejtën ty për të blerë televizor sepse kështu funksiononte. Më kujtohet atëherë që mami e kishte marrë autorizimin dhe pastaj i ra numri i lotarisë diku andej nga vera. Mua më kujtohet që ne do e merrnin në Korrik, kur i vjen një shoqe e punës. Ajo ishte rrobaqepëse dhe i thotë “Lutfie të lutem ma jep mua numrin tënd sepse dua të ble një makinë qepëse”, kurse ne nga ana tjetër i thoshim mamit që dëshironim televizorin. Pastaj muajin tjetër morën televizorin dhe ishte kënaqësi tjetër. Po unë impresionon që kam marrë nga radio, nuk e kam të njëjtë me televizorin./tvklan.al