Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Gjatë katër kilometrave të rrjedhjes së lumit Lanë nëpër kryeqytet, u ndërtuan rreth 550 objekte të ngritura tërësisht në dhjetë vitet e fundit. Këto ndërtime kryejnë funksionet e dyqaneve, firmave, madje ato shërbejnë edhe si shtëpi. Vlerat e investimeve që janë shpenzuar për ndërtimet në të dy krahët e Lanës, llogariten në shumën 4.5 milion dollarë, por vetëm 34% e këtyre objekteve kanë lejen e ndërtimit nga zyra e urbanistikës dhe 10% e tyre janë të ndërtuara me vendim të kthimit dhe kompensimit të pronave.
Mit’hat Havari, Drejtor i Policisë Ndërtimore:- “Kuptohet, ashti si Parku Rinia, që më parë donte një studim, donte një organizim të fortë nga shteti edhe Lana kërkon patjetër një studim urbanistik, një studim se çdo të bëhet, si do të transformohet, që nuk i përket policisë së ndërtimit. Në momentin që shteti do të vendosi dhe për Lanën, që do të transformohet, ne jemi gati, për të ekzekutuar gjithë ndërtimet e paligjshme”.
Gjendja aktuale e hapësirës urbane të Lanës, ka preokupuar dhe qendrën për zhvillim të abitatit, e cila ka zhvilluar një konferencë për shtyp, ku me anë të një studimi të kryer nga studentë e pedagogë të Arkitekturës dhe Urbanistikës, kanë prezantuar gjetjet kryesore të një studimi social-ekonomik, mbi objektet përgjatë lumit të Lanës./tvklan.al