Zgjedhjet e pjesshme, në dorë të Presidentit
Pas dorëheqjes së Valdrin Pjetrit nga detyra e Kryebashkiakut, shkodranët do të duhet të drejtohen sërish në kutitë e votimit për të zgjedhur kryetarin e ri që do t’i drejtojë për katër vitet e ardhshme.
Por deri në mbajtjen e procesit elektoral të radhës detyrën e kryebashkiakut do të vijojë ta mbajë, Voltana Ademi.
Ligji për vetëqeverisjen vendore në nenin 60, ku i referohet mandatit të kryetarit të bashkisë në pikën 4 të tij përcakton se “Ushtrimi i mandatit të kryetarit të bashkisë fillon në çastin kur bën betimin dhe përfundon kur bën betimin kryetari pasardhës.”
Po i njëjti ligj saktëson edhe procedurën se cili do të jetë mekanizmi për të vënë në lëvizje instancat ligjzbatuese.
Pika tre e nenit 60 përcakton se “Shpallja e vlefshmërisë së mandatit të kryetarit të bashkisë bëhet në mbledhjen më të parë të këshillit bashkiak përkatës, ku kryetari bën betimin, sipas formulës së përcaktuar në nenin 50, të këtij ligji, dhe e nënshkruan atë.”
Këshilli i ri Bashkiak menjëherë pas konstituimit do ta thërrasë Valdrin Pjetrin te beje betimin, por në kushtet kur ai ka refuzuar ta marrë mandatin, duhet qe te njoftoje këshillin përmes një shkrese, duke i vënë në dijeni edhe arsyet e dorëheqjes.
Në këtë rast Këshilli vë në dijeni Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Në mbledhjen më të afërt KQZ merr në shqyrtim kërkesën e më pas i drejtohet presidentit të republikës, i cili ka në tagër të tij shpalljen e dekretit për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme në këtë bashki.
Sipas kodit zgjedhor neni 10 i tij përcakton se zgjedhjet mbahen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga data e njoftimit të ndërprerjes së mandatit të të zgjedhurit lokal. Dhe se në çdo rast, Presidenti i Republikës nxjerr dekretin jo më vonë se 48 orë nga njoftimi për ndërprerjen e mandatit.
Por Kreu i shtetit nuk i njeh zgjedhjet e 30 Qershorit dhe ka shpallur dekretin për mbajtjen e tyre më 13 Tetor, ndaj gjasat janë që Kreu i Shtetit të mos dekretojë zgjedhje të pjesshme dhe kjo situatë e re pritet ta thellojë edhe më tej krizën kushtetuese e politike në vend.
Tv Klan