Ekspertët: Fitojnë vetëm partitë e mëdha

Renditjen e kandidatëve në listat e reja të deputeteve, sipas propozimit të Partisë Socialiste, do ta bëjnë sërish kryetarët e partive. Ndërsa shpërndarja e mandateve do të bëhet duke pjesëtuar votat që merr partia politike, për numrin e mandateve që do t’i takojnë sipas qarkut.

Në këtë mënyrë, mandatet do t’i përfitojnë kandidatët e parë në listë. Për t’u futur në këtë listë, një kandiat poshtë vijës fituese, do të duhet të marrë qoftë edhe 1 votë më shumë sesa votat që i janë dashur subjektit për çdo mandat.

Eksperti i çështjeve zgjedhore Kristaq Kume mendon që shanset që një deputet të arrijë të marrë më shumë vota se forca politike që e propozon, duke ndryshuar renditjen e përcaktuar nga kryetarët e partive, janë zero.

“Në fund fare realizohet një proces që është gati 100% vendimmarrje e lidershipit të partisë për ata që duhet që nesër të ulen në Kuvendin e Shqipërisë. Kandidatët që do të marrin vota parapëlqyese nga zgjedhësit të kenë mundësi afër zeros për të marrë mandat. Me llogari të thjeshta i bie të fitojnë vetëm ata që janë të renditur në krye të listës nga lidershipi”, tha Kume.

Vërejtje, Kume ka edhe për pragun kombëtar prej 3 përqind që duhet të arrijnë si subjektet dhe ashtu dhe koalicionet për të marrë mandate në Kuvend.

“Sa kohë kemi një sistem proporcional dhe rajonal ç’kuptim ka niveli kombëtar? Por edhe kjo e vendosur kështu siç propozohet të jetë 3% duke pasur parasysh rezultatet e zgjedhjeve të mëparshme me një llogari të thjeshtë arrin në përfundimin që është bërë në interes vetëm të partive të mëdha politike”, tha Kume.

Për Kumen propozimet e PS-së në pjesën më të madhe të tyre facorizojnë të 2 partitë e mëdha ndërsa sa i takon pengimit të koalicioneve zgjedhore në formatin aktual, ai thotë se shkon në favor të PS-së.

Tv Klan