Cilësia e karburantit në vend vazhdon të mbetet shqetësim për konsumatorët. Pasojat e cilësisë se dobët të karburantit reflektohen te defektet e shumta që shfaqin automjetet. Një gjë e tillë pohohet në pikat e servisit të automjeteve në kryeqytet, ku konstatohet se shkaktar direkt i rreth 30% të dëmtimeve të motorit apo pjesëve të tjera të automjetit është cilësia e keqe e karburantit të përdorur.

“E para njëherë nuk tërheq mirë, konsumon .. E dyta të krijon defekte, shqetësime, të prish jo pompë, jo valvula. Krijon probleme sa të duash, sido qoftë nuk mund ta themi se është në masën 100% shkaktare e vërtetë i defekteve, por sido qoftë ka ndikimin e saj 20-30%”.

Inspektorati qendror teknik, që është përgjegjës për cilësinë e karburantit që përdoret në vend, vazhdon të pretendojë se në bazë të kontrolleve të kryera në pjesën dërmuese cilësia e karburantit në treg është brenda parametrave, megjithëse problemet që reflektojnë automjetet pohojnë krejt të kundërtën.

Cilësia nuk është i vetmi shqetësim për konsumatorët shqiptare, të cilët i druhen edhe abuzimit me sasinë dhe me çmimet e pakontrolluara sidomos gjatë periudhës së nxehte, kur rritet konsumi i karburantit. Për vitin e kaluar, Autoriteti i Konkurrencës ka gjobitur me 2% të xhiros vjetore dy kompani, për abuzime me çmimet./tvklan.al

Gazetari: Fjorald Zguro