Nuk ka të ndalur abuzimi me cilësinë e karburantit. Vetëm nga kontrollet e ushtruara dy javët e fundit nga Inspektorati Qendror Teknik në pikat e karburantit në kryeqytet është konstatuar se rreth 15% e tyre kanë probleme serioze me cilësinë. Kryeinspektori i ri, Virgjil Joti, pohon këtë situate.
Virgjil Joti: “Kemi lëshuar një urdhër pune dhe evidentimin e gjithë tregut të karburanteve. Po ushtrojmë në kontroll të rreptë në të gjithë pikat e karburanteve në të gjithë Shqipërinë nga ana e dokumentacionit ligjor, nga ana e cilësisë për rreth 300 kontrolle vetëm në një afat të shkurtër brenda 2 javësh dhe janë evidentuar me shkelje rreth 20 subjekte të cilat janë gjobitur me gjoba maksimale deri në 500 mijë lekë”.
Cilësia e karburantit në treg vijon të mbetet një problem shqetësues për konsumatorët dhe bizneset.
“Kjo e jashtmja është e mirë, kurse kjo e vendit ka problemet e veta”.
“Shumë e dobët. Po megjithatë unë e furnizoj vetëm me një karburant edhe..
Gazetari: Ku e kuptoni që është cilësi e dobët?
“Nga makinat, nga motorët. Motorët nuk punojnë mirë shumë keq, shumë keq”.
Kreu i IQT kërkon me ngulm disa ndryshime ligjore në procedurat e ekzekutimit të gjobave apo bllokimit të aktivitet, duke ju referuar edhe shembujve nga vendet e rajonit, masa të cilat do t’i jepnin impakt të menjëhershëm në normalizimin e situatës në treg.
Vetëm vitin e fundit rezultojnë të pa vjela gjoba për cilësinë e karburantit që në total shkojnë rreth 300 mijë dollarë.
Virgjil Joti: “Ne vëmë gjoba po këto i ekzekuton pushteti vendor ose bashkia. Në qoftë se do ndërhyjmë në ligj që kjo gjë të jep titull ekzekutiv dhe ne të bëjmë mbylljen e një pike karburanti deri në ekzekutimin e kësaj gjobe atëherë themi se do të kemi ecur në këtë drejtim”.
Sipas një përllogaritje të kryer nga shoqatat e biznesit dëme që u shkaktohet konsumatorit dhe sidomos sipërmarrësve nga abuzimi me cilësinë e karburantit është të paktën 150 milion euro në vit, pa përfshirë këtu vjedhjen me vëllimin apo çmimin./tvklan.al
Gazetari: Fjorald Zguro