Mëngjesin e kësaj të Marte, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka mbërritur në ambientet e Gjykatës së Posaçme të Apelit. Në seancën e sotme gjyqësore do të vendoset nëse do rrëzohet apo jo kërkesa e tij për masë më të lehtë sigurie.
Kërkesën e Veliajt në Apel do ta shqyrtojë gjyqtari Engert Pëllumbi. Në të njëjtën seancë do të shqyrtohet dhe ankimi i biznesmenëve Elman Abule, Shkëlqim Fusha, Gentian Sula dhe Meriman Palushi. “Nuk ka rrezik për prishje provash apo largim nga vendi”, është pretendimi i Veliajt, i cili kërkon lirinë.
“Nesër do të rikthehem për të mbrojtur veten, familjen dhe çdo shqiptar që beson te drejtësia e standardeve europiane dhe prezumimi i pafajësisë”, tha kryebashkiaku në reagimin e djeshëm në Facebook.
Kujtojmë se Veliaj u arrestua më 10 Shkurt, i akuzuar për dy vepra penale, atë të “korrupsionit pasiv” në 9 raste dhe “pastrim parash”. 2 ditë më vonë, u verifikua masa e “arrestit me burg” ndaj tij në GJKKO, ndërkohë që për bashkëshorten e tij Ajola Xoxa u caktua masa e “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”. Prej 1 muaji tashmë, Veliaj ndodhet në ambientet e paraburgimit në Durrës.
/tvklan.al