Dekreti i presidentit të republikës që cakton datën 27 Korrik si datën e mbajtjes së zgjedhjeve të pjesshme për kryetar komune në Kashar ka angazhuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të nisë punën për organizimin e mbarëvajtjes së tyre.

Për kryetarin e këtij komisioni, Çlirim Gjata, koha është e mjaftueshme për përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore.

I vetmi problem, precedent ky i përsëritur në të gjitha zgjedhjet dhe që Gjata shpreson të zgjidhet me ligjin e ri elektoral, është ndërrimi i emrave të komisionerëve të qendrave të votimit, por dhe KQZ-ve vetëm pak orë përpara zhvillimit të tyre.

Çlirim Gjata: “Jemi në pritje të sjelljes së kandidaturave për komisionerët e kësaj njësie. Shpresojmë të mos na përsëritet ajo e vonesës së paraqitjes së komisionerit nga partitë, e pengesave që sjellin partitë dhe mbi të gjitha zëvendësimit të komisionerëve edhe që shpresojmë të rregullohet me kodin e ri, por që kuptohet ky kod do zbatohet edhe për këto zgjedhje”.

Për Gjatën pushimi i funksionimit të KQZ-së si organ kushtetues me ndryshimet që i bënë kushtetutës më 21 Prill nuk përbën asnjë problem për Komisionin Qendror Zgjedhor.

Çlirim Gjata: “Neve prej mbas këtij kodi që është në fuqi kemi të gjitha kompetencat aty, të gjitha organizimet, procedurat edhe nuk përbën asnjë lloj problemi. Vazhdon gjithçka normalisht.”

Zgjedhjet në Kashar zhvillohen pas arrestimit të kryetarit të kësaj komune, i akuzuar për përfshirjen në skandalin e pronave në komunën e Kasharit./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka