Presidenti amerikan Joe Biden që garon për një mandat të dytë në zgjedhjet e Nëntorit, po bëhet gjithmonë e më shumë i izoluar. Zërat brenda demokratëve amerikanë që kërkojnë largimin e tij, janë shtuar. Sipas sondazheve, Joe Biden duket humbës në zgjedhjet presidenciale përballë Donald Trump.
Joe Bidenit i është kërkuar nga ish-Presidenti Obama dhe Nancy Pelosi që të tërhiqet dhe të zëvendësohet me një kandidat tjetër. Pikët e tij të ulëta përballë Donald Trump u dukën në debatin televiziv presidencial, ku Joe Biden bëri një performancë negative.
Së fundmi, prej 2 ditësh, Biden ka pezulluar fushatën për shkak se është infektuar me Covid-19.
CNN, duke ju referuar burimeve brenda radhëve të demokratëve, raporton se 72 orët e ardhshme konsiderohen vendimtare. Sipas CNN, besohet që gjatë fundjavës Joe Biden të tërhiqet nga gara.
Një tjetër burim që mbështet këtë dyshim është edhe fakti që Nancy Pelosi u ka thënë disa demokratëve të Dhomës së Përfaqësuesve se beson që Biden mund të bindet shumë shpejt që të tërhiqet nga gara, raporton Washington Post.
“Kjo situatë nuk mund të vazhdojë më gjatë”, tha për CNN një guvernator demokrat që mban kontakte me zyrtarë të lartë të partisë.
Tashmë brenda radhëve të demokratëve po flitet gjithmonë e më shumë se Biden nuk mund të qëndrojë më në garën presidenciale.
“Të gjithë po e thonë privatisht. Njerëzit shohin dhe ndjejnë mure që po mbyllen”, tha një zyrtar i lartë i Demokratëve.
Një tjetër shtoi se Presidenti Biden është jashtëzakonisht i izoluar që pas debatit presidencial me Trump. Rrethi i tij i këshilltarëve të afërt është ngushtuar shumë. Rrethi i ngushtë i këshilltarëve të Biden ka alarmuar demokratët të cilët kanë dyshime nëse Presidenti informohet me të dhënat reale të sondazheve, që sipas të cilave, rezulton humbës përballë Donald Trump. Këto rezultate të sondazheve, Joe Bidenit ia bëri me dije dhe bashkëpunëtorja e tij e afërt Nancy Pelosi, e cila i sugjeroi të tërhiqet nga gara. Por Biden i tha se sondazhet tregojnë që ai mund të fitojë.
Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë në kampin e Demokratëve gjatë orëve të ardhshme.
Ndërkohë, në anën tjetër Donald Trump mori bekimin në Konventën e Republikanëve si kandidati i tyre për zgjedhjet presidenciale. Sondazhet tregojnë se pikët i ka në rritje dhe do të jetë Presidenti i ardhshëm i SHBA-së, i cili nëse fiton, do ta ketë mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardhë.
/tvklan.al