Lajme Arkiva 2003

Takimi mes sekretarit amerikan të shtetit Colin Powell dhe kryeministrit Fatos Nano ka dhënë një mesazh ta fortë politik për Shqipërinë. Të dy liderët patën një bisedë kokë më kokë për 30 minuta, ku fillimisht Powell i ka përcjellë kryeministrit shqiptar përshëndetjet më të ngrohta personale të zotit Bush duke u shprehur se, “Ju na mbështetët me aq vendosmëri dhe ne jemi po aq të vendosur për t’ju mbështetur ju”.

Ndërsa zoti Nano pasi ka uruar zotin Powell në emër të qeverisë shqiptare për fitoren e luftës në Irak e ka njohur sekretarin e shtetit me reformat e marra nga qeveria shqiptare. Sipas zotit Nano ky proces reformash ka përfshirë të gjithë institucionet dhe po bëhet kujdes në luftën kundër informalitetit në ekonomi dhe forcimit të shtetit ligjor. Këto iniciativa janë përshëndetur nga shefi i diplomacisë amerikane i cili ka shprehur në këtë takim pikëpamjet e shteteve të bashkuar ar të mbështetur me vendosmëri Shqipërinë.

Zoti Powell ka theksuar gjithashtu rëndësinë që pati zgjedhja e qeverisë shqiptare, si anëtare e rëndësishme e koalicionit të vullnetit si dhe pjesëmarrja e saj e drejtpërdrejtë në zgjidhjen e krizës.

“Ju e bëtë këtë gjë për arsye të drejta dhe tani jeni në anën e fitimtarëve, kjo është arsyeja pse jam këtu, për të demonstruar angazhimin tonë konkret në mbështetje të agjendës së reformave që keni ndërmarr për të përmbushur standardet e kërkuara dhe për tu bërë pjesë e Natos dhe Bashkimit Evropian”, tha sekretari amerikan i shtetit në takimin me kryeministrin shqiptar.

Këtë vizion zoti Powell e shprehu edhe para gazetarëve në konferencën e përbashkët për shtyp m kryeministri Nano.

Colin Powell: Pra unë thjesht ju sugjeroj të vazhdoni të ecni përpara me reforma. Të futet shoqëria juaj në një shoqëri ku të sundoj ligji. Ne vërtet duam t’ju ndihmojmë , t’ju ndihmojmë që të realizoni ëndrrat e popullit shqiptarë që vendi juaj të kthehet në një vend të tillë me tradita të tilla të respektimit të ligjit. Mendoj se edhe vizita ime këtu mund të konsiderohet si një akt i miqësisë.

Fatos Nano: Unë në emër të qeverisë i premtova zotit Powell vendosmërinë e qeverisë që unë drejtoj në rrugën e reformave, forcimit të institucioneve. Politika jonë e brendshme është forcim drejt rrugës së zbatimit të reformave euro-atlantike, lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe lufta kundër trafiqeve të paligjshme që ende kalojnë nëpër Shqipëri dhe në vendet tona fqinje. Në forcimin e marrëdhënieve ndër rajonale, në rritjen  e stabilitetit në mënyrë që tërë rajoni të ecë drejt në rrugën e vlerave pozitive perëndimore, pra globale./tvklan.al