E ardhmja e Serxhio Ramosit mund të jetë në Brazil. Klubi i Kruzeiros ka shprehur interesim për mbrojtësin spanjoll, i cili është pa skuadër prej 6 muajsh.

Pedro Lourenço, i cili është pronari i klubit brazilian, pasi bleu 90% të aksioneve që zotëroheshin nga ikona e futbollit brazilian, Ronaldo tha se ai ka kapitalin e nevojshëm për ta sjellë në Belo Horizonte 38-vjeçarin.

Në ekip kanë nevojë për një mbrojtës dhe drejtuesit menduan për kampionin spanjoll të botës dhe të Europës.

“Nëse ai dëshiron që të vijë dhe pranon kushtet e Kruzeiros, atëherë le të vijë. Mbase e realizojmë këtë transferim”, tha pronari i klubit për një radio lokale, raporton Mundo Deportivo.

Mediat në Spanjë kanë raportuar se interesim për Ramosin ka pasur nga klube të ndryshme. Spanjolli ka refuzuar ofertat e bëra nga meksikanët e Montereit, amerikanët e San Diegos dhe braizlianët e Korinthiasit.

Kruzeiro e pëlqen së tepërmi Ramosin, pasi ai jo vetëm që ofron siguri në qendër të prapavijës, por mund të mbulojë më së miri edhe rolin e mbrojtësit të djathtë.

Klan News