Menaxherja e Përgjithshme e Agjencisë së NATO-s për Mbështetjen dhe Prokurimet (NSPA), Stacy Cummings, në përurimin e bazës ajrore të Kuçovës, u shpreh këtë të hënë se Kuçova është tashmë një stacion modern për operacionet e NATO-s në Ballkanin Perëndimor.
“Punimet u përmbushën brenda afateve të pritshme dhe në përputhje me buxhetin fillestar. Një arritje sfiduese, duke pasur parasysh trazimin e zinxhirit të furnizimit, gjithashtu dhe inflacionit që ndodhën gjatë realizimit të projektit. Kuçova është tashmë një stacion modern për operacionet e NATO-s në Ballkanin Perëndimor. Me përmirësime, me modernizime që përfshijnë rinovimin e një kulle kontrolli, gjithashtu edhe një dhomë kontrolli të rimodernizuar dhe hapësira të cilat sigurojnë natyrisht magazinimin dhe ndriçimin. Ky ka qenë ekzekutimi i programit të parë të investimit të NATO-s në Shqipëri dhe NSPA është krenare që ka ofruar mbështetje efektive, efikase dhe mjaft të shpejtë për Shqipërinë, për të realizuar këtë hap në infrastrukturë, jo vetëm për vendin pritës, por gjithashtu edhe për Aleancën”.
NSPA, tha më tej Cummings, është e gatshme që të rrisë kapacitetet kombëtare e të forcojë aftësinë e aleancës për të përmbushur detyrat e saj themelore, për parandalim dhe mbrojtjeje, për parandalimin e krizave dhe menaxhimin e tyre, si edhe për sigurinë e përbashkët.
“Si agjencia kryesuese për blerjet në nivel ndërkombëtar, për mbështetjen e sistemet në NATO ne dëshmojmë kapacitet tona për të vepruar për projekte komplekse dhe urgjence. Duke u mbështetur në këtë gur themeli, ne presim me padurim që të shtrijmë partneritetin me Shqipërinë, duke zgjeruar gamën e blerjeve të infrastrukturës dhe mjeteve logjistike si dhe mbështetjen e operacioneve dhe shërbimeve të ndryshme. NSPA është e gatshme që të rrisë kapacitetet kombëtare e të forcojë aftësinë e aleancës për të përmbushur detyrat e saj themelore, për parandalim dhe mbrojtjeje, për parandalimin e krizave dhe menaxhimin e tyre si edhe për sigurinë e përbashkët”./tvklan.al