Pas më shumë se 30 vjetësh, Valentina i ka dërguar një ftesë profesorit të saj të gjimnazit që të jetë pjesë e rubrikës së “Ka Një Mesazh Për Ty”.  Ky takim në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan vjen pas vitesh të gjata largimi të Valentinës në Kanada, humbjes së bashkëshortit e prindërve dhe një nostalgjie për kohën e gjimnazit.

Me gjithë vitet që kanë kaluar, profesor Telhai arrin ta mbajë mend Valentinën e madje të kujtojë mbiemrin e saj të vajzërisë e të martesës. Me lot në sy, ajo i jep një mesazh mirënjohjeje figurës së dashur për të që vjen edhe si një moment i bukur për fundvitin shkollor.

Valentina: Gëzohem që ju shoh sot këtu dhe ta dini se keni qenë gjithmonë i respektuar nga të gjithë nxënësit dhe nga mua personalisht. Ju ndryshuat jetët tona, na orientuat në jetë, na dhatë besimin sepse në jetë problemet vijnë më të mëdha se ato problemat e matematikës, por ne u bëmë të zhdërvjellët dhe jeta më zgjodhi mua që të më jepte më shumë halle, por kam lexuar diku, thonë që Zoti i jep më shumë atij që kërkon më shumë të arrijë në jetë dhe unë jam e lumtur që në sajë të të gjithë punëës tuaj si pedagog dhe mësuesve të tjerë, ne nxënësit e Kuçovës dhe gjithë nxënësit tuaj ia dolëm në jetë dhe jemi të suksesshëm. Unë mbarova dy fakultete, një këtu në Shqipëri për veterinari që atë ia kushtoj prindërve të mi, ndërsa diplomën në Kanada unë ua kushtoj mësuesve të gjimnazit dhe ju, profesor Telhai!

Telhai: Vali, të falenderoj shumë!

Valentina: Ajo që ndiej, nuk e shprehin fjalët, është shumë, shumë herë më e lartë.

Telhai: Të falenderoj shumë!

Valentina: Edhe unë jam shumë e emocionuar.

Telhai: Të falenderoj shumë për këtë që ke bërë!

Valentina: E meritoni! Mësuesit gjithmonë meritojnë të kenë mirënjohjen më të madhe nga të gjithë./tvklan.al