Në mediat britanike, Shqipëria mbetet në krye të sugjerimeve për pushime të vona. Në një renditje të bërë nga e përditshmja “Daily Express”, thuhet se udhëtarët britanikë po kërkojnë gjithnjë e më shumë destinacione të reja, por sa më afër dhe me kosto të përballueshme.
Vendi që i përmbush të gjitha këto kritere sipas Jasson Higs, ekspert në sektorin e udhëtimeve është Shqipëria. Ai thotë se vendi i vogël ballkanik nënvlerësohej më parë, por tashmë është një destinacion evropian me dete ngjyrë blu të ndezur dhe qytete të bukura dhe për më tepër me një kosto mesatare ditore shpenzimesh prej vetëm 22 Paund.
“Ky thesar ballkanik krenohet me peizazhe malore mahnitëse, qytete simpatike bregdetare dhe një trashëgimi të pasur kulturore” – thuhet në shkrim.
Për vizitorët sugjerohet të vizitohet qyteti historik i Beratit, si dhe riviera piktoreske.
“Shqipëria ofron një mori përvojash me një fraksion të kostos në krahësim me fqinjët e saj evropianë” – thuhet në shkrimin që vlerëson akomodimin, transportin dhe ushqimin.
Të huajve u rekomandohet të provojnë ushqimet tradicionale shqiptare, por edhe prodhimet e detit.
Tv Klan