Trajneri i Dinamos, Ilir Daja, foli në prag të përballjes me Laçin në kampionat. Tekniku i kryeqytetasve, deklaroi se skuadra ka marrë rezultate të mira në javët e fundit.

Megjithatë, Daja kërkoi nga ekipi që të jetë me këmbë në tokë, sepse nuk kanë arritur ende asgjë, duke paralajmëruar se do të jetë një ndeshje e vështirë ndaj Laçit.

“Vijmë pas fitores në Shkodër ndaj Vllaznisë, që është vazhdimësi e rezultateve të mira që kemi marrë këto javët e fundit. Ishte një fitore e rëndësishme, mbi të gjitha me lojë bindëse, sepse më parë kemi fituar, por loja nuk ka qenë në nivelin që kemi dashur. Thjesht duhet të nxjerrim mësime nga ajo që ndodhi në minutat e fundit, pasi ndeshja përfundon kur vërshëllen arbitri.

Kemi entuziazëm natyrisht, por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, sepse nuk kemi arritur asgjë. Na pret një ndeshje shumë e fortë në Laç, ndaj një kundërshtari që me skuadrat e kreut ka bërë mirë në javët e fundit. E dimë që fusha e Laçit është mjaft e vështirë sportivisht, loja është me dyluftime të forta. Na duhet të japim maksimumin për të vazhduar me këto rezultate”, deklaroi Daja.

Ndeshja Laçi-Dinamo, do të luhet ditën e Diel, duke nisur nga ora 13:30. /tvklan.al