MSH: Një nxënës në bankë, maska detyrim nga klasa e 5-të
Një nxënës në bankë me një distancë të paktën 1.5 metra nga njëra-tjetra. Ky është një ndër rekomandimet që Komiteti Teknik i ka paraqitur Ministrisë së Arsimit për mënyrën se si duhet të funksionojnë shkollat që në momentin që do të happen.
Edhe pse Ministria e Arsimit ende nuk ka përcaktuar mënyrën se si do të zhvillohet procesi mësimor, ekspertët e shëndetësisë kanë hartuar draftin me rregullat që do të ndiqen në të gjitha institucionet arsimore.
Nxënësit do të hyjnë në shkollë në rresht, duke respektuar distancën, ndërsa në hyrje do t’ju matet temperatura dhe sprucohet dezinfektant.
Ata nuk do të lejohen të qëndrojnë apo lëvizin në korridore, veçse në momentin që hyjnë në klasë dhe kur dalin në përfundim të mësimit.
Për më të vegjlit, nga klasa e 1 deri në të 5, përdorimi i maskave në klasa nuk do të jetë i detyrueshëm por vetëm gjatë lëvizjes në korridor, ndërsa për ciklin nga e 5 në të 9-ën dhe në gjimnaze, maska do të duhet të mbahet gjithë kohën.
Gjithashtu, komiteti ka rekomanduar që të gjithë nxënësit që do të njoftojnë se janë sëmurë, të vizitohen nga mjeku i shkollës apo i familjes, dhe rikthimi në shkollë të bëhet vetëm me rekomandimin e tyre.
Sa u takon klasave, ato do të jenë gjithmone me dritare të hapura dhe nuk do të lejohet konsumimi i ushqimit në klasë.
Këto janë disa nga rekomandimet, tashmë pritet të vendosë Ministria e Arsimit për mënyrën se si do të zhvillohet mësimi, duke përcaktuar dhe oraret apo grupet e reja për çdo klasë.
Tv Klan