Shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe njohja e saj nga 48 shtete të botës është në pajtim me të drejtën ndërkombëtare. Kështu është shprehur sot kryeministri i Danimarkës Anders Rasmussen gjatë një vizite që i bëri Kosovës.
Kryeministri danez tha se Serbia ka të drejtë që ti kërkojë gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë, që ta japë mendimin e saj rreth shpalljes së pavarësisë. Mirëpo shtoi se kjo nuk do ta pengojë Kosovën në rrugën e nisur më 17 shkurt.
Anders Rasmussen: “Sa i përket kërkesës së Serbisë që të kërkojë mendimin e gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë rreth shpalljes së pavarësisë, më vjen keq që ta them. Mirëpo kjo është një kërkesë legjitime e cilitdo vend. Por sidoqoftë njohja e jonë e pavarësisë së Kosovës nuk do të ndikohet në çfarëdo aspekti. Edhe nëse asambleja e përgjithshme e OKB-së vendos të miratojë kërkesën e Beogradit. Unë mendoj se njohja e pavarësisë së Kosovës është në pajtim të plotë me të drejtën ndërkombëtare.”
Serbia arriti mbrëmë që ta shtyjë kërkesën e saj në punimet e asamblesë së përgjithshme të OKB-së. Por pavarësisht kësaj presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi, pas takimit që zhvilluan me kryeministrin e Danimarkës u shprehën të bindur se asgjë nuk mund ta ndalë procesin e njohjes së pavarësisë.
Fatmir Sejdiu: “Ne jemi jashtëzakonisht të kënaqur me njohjet që i janë bërë Kosovës. Ne natyrisht se kemi nevojë për mbështetje të mëtejshme dhe njohje të republikës së Kosovës. Një arsye të parë që ne e gjejmë gjithmonë është se mund të ketë vende që ende kanë hezitime të brendshme dhe nuk njohin sa duhet në esencë. Për shkak mbase edhe të largësisë gjeografike problemin e Kosovës. Kemi thënë gjithmonë ashtu siç ka përshkruar edhe presidenti Ahtisari, Kosova është shembull…”
Hashim Thaçi: “Është diçka me të cilën do të ballafaqohemi realisht. Mirëpo një kërkesë e tillë jokonstruktive nuk do mund ta ndalë procesin e njohjeve të reja dhe integrimin e Kosovës në strukturat Euroatlantike.”
Danimarka është një ndër shtetet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës. Kryeministri i këtij vendi ka premtuar sot në Prishtinë se Kopenhagen do të vazhdojë ti ndihmojë Kosovës, si na planin politik ashtu edhe në atë ekonomik./tvklan.al