Ndërkombëtaret gjatë gjithë këtyre muajve të bojkotit parlamentar të socialistëve janë shprehur të gjithë në unison.
Një qëndrim i tij kundër bojkotit të opozitës shqiptare është shprehur dhe kryeministri Italian Silvio Berluskoni.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun e tij shqiptar Sali Berisha i cili ndodhet në Romë për një vizitë zyrtare, presidenti i këshillit të ministrave të Italisë ka bërë apel Partisë Socialiste të respektoj institucionet pasi në demokraci sipas tij, i vlefshëm është vetëm dialogu brenda institucioneve.
Silvio Berluconi: “Folëm me Berishën përveç të tjerash dhe për situatën politike. Sinqerisht ju them se kam patur rastin që të flas në parlamentin shqiptar në momentin e një kontrasti shumë të madh kur socialistët ishin në pushtet dhe Berisha në opozitë. Unë jam i mendimit se Parlamenti nuk duhet të bojkotohet pavarësisht kontestimeve që mund të ketë. Opozita duhet ta luaj rolin e saj brenda institucioneve. I bëj apel të sinqertë opozitës shqiptare të shkojë në Parlament. S’mund të ketë demokraci të vlefshme nëse s’ka dialog parlamentar.”
Vetëm pak orë përpara zhvillimit të tryezës së thirrur nga presidenti i republikës nga Roma Berisha ka shprehur gatishmërinë e tij për të zgjidhur ngërçin politik të krijuar nga bojkoti opozitar i parlamentit.
Sali Berisha: “ Folëm me Berlusconin për situatën e çuditshme që ekziston. Kemi një opozitë që pranon rezultatin e zgjedhjeve, por nuk hynë në Parlament. Monitoruesit ndërkombëtarë janë shprehur të gjithë se nuk kanë hasur në prova që të tregojnë se ka patur problem me numërimin e votës popullore, ndërsa kanë pranuar se zgjedhjet e qershorit kanë qenë zgjedhjet më të mira dhe me standardet më të mira të zhvilluara ndonjëherë. Pavarësisht kësaj situate unë premtoj se do punoj me durim. Do bëj gjithçka brenda mundësive për të gjetur një zgjidhje, jam njeri i kompromiseve dhe lëshimesh. Do bëj gjithçka ti jap fund kësaj situate.”
Menada Zaimi: “Vizita 2 ditore e kryeministrit tëq Shqipërisë Sali Berisha në Itali u konkretizua me nënshkrimin e dokumentit të partneritetit strategjik që do ti japi një shtytje të re marrëdhënieve ekonomike dhe politike mes dy vendeve tona. Ajo çfarë i premtoi kryeministri italian Silvio Berlusconi kryetarit të qeverisë shqiptare është mbështetja e fortë për proceset integruese të Shqipërisë drejt BE-së, liberalizimin e vizave brenda 6 muajve të parë të këtij viti si dhe statusin e vendit kandidat në BE brenda tetorit të vitit 2010. Berisha-Berlusconi diskutuan edhe për çështje të politikës së ditës në Shqipëri, për bojkotin e opozitës, Berlusconi theksoi se opozita duhet bërë vetëm brenda institucioneve, duke u deklaruar kështu kundër bojkotit të opozitës.”/tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi