Pas regjistrimit të publikuar ditën e hënë, e përjavshmja italiane,  Espresso boton edhe 4 regjistrime të tjera mes kryeministrit Italian Silvio Berluskoni dhe prostitutës Patricia D’addario.

Në këto regjistrime shfaqet personi qe i rregullon takimet, Xhampaolo Tarantini. Pas publikimeve që vërtetojnë se kryeministri Berluskoni ka gënjyer dhe se D’addario ka thënë të vërtetën, gazeta shkon edhe më tej, nxjerr në faqen e internetit, audiot ekskluzive të takimeve të mbajtura në rezidencën e kryeministrit.Bëhet fjalë për mesin e gushtit 2008, dhe vajza regjistron gjithçka në telefonin e saj, marrëveshjen për paratë, shijet e Silvios etj.

Ne takimet mes Berluskonit dhe D’Adarios, kryeministri i premton asaj se edhe do ta ndihmojë në një sipërmarrje të saj private. Por ky premtim, siç pohon vetë ajo, nuk është mbajtur. Madje D’Addario ndihet e kërcënuar.

Për rrjetin televiziv Sky, ajo është shprehur se i kanë vjedhur gjithçka në shtëpi pasi u kishte rrëfyer disa mikeshave te saj se i kishte regjistruar bisedat me Berluskonin dhe se i mbante ato në një CD.

Publikimi i bisedave hap një tjetër skandal për kryeministrin. Edhe gazeta Republika do ta padisë atë për shpifje. Por Berlusconi nuk tundet. Duket se edhe kësaj here do t’ia kaloje me batuta. Ajo e gjetura për këtë ngjarje është se “ai nuk është një shenjtë”. /tvklan.al