Dhënia e një leje prindërore 2-vjeçare anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Gjyqtarit Gjin Gjoni për Ministren e Drejtësisë është e paligjshme. Etilda Gjonaj tha në një deklaratë për mediat se KLD ka vepruar pa kuorumin e nevojshëm.
“Kjo kërkesë e pranuar në mënyrë haptazi të paligjshme është miratuar me votim nga anëtarët prezent të KLD-së, çka e bën shumicën e këtij institucioni edhe njëherë tjetër autore të një vendimmarrje haptazi të paligjshme. Është e qartë se nuk është objekti i kërkesës, po vetëm Vetting-u i padëshiruar, që e ka çuar anëtarin e vetë KLD deri në këtë absurd!”
Gjyqtari Gjoni, në një reagim për mediat thotë se kërkesa për leje prindërore ka qenë e bazuar në ligj dhe si e tillë është miratuar nga KLD.
“Së pari, unë nuk kam marrë pjesë në votim dhe për marrjen e vendimit ka qene kuorumi i plotë, aq sa e kërkon ligji. Së dyti, Ministrja e Drejtësisë është anëtare e një qeverie, e cila sapo ka shpallur “paketën antishpifje”, ndaj i takon të jetë më e kujdesshme kur deklaron shpifje publike. Së treti, leja që më ka dhënë KLD për arsye familjare, as nuk e pezullon dhe as e shtyn procesin e vetting-ut. Kjo do të do te thotë që unë jam i gatshëm të paraqitem, kur të kërkohet për këtë proces”.
Pas debatit, ka reaguar edhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë, sipas të cilit ministrja Gjonaj nuk ka qenë e pranishme në mbledhje dhe se deklarata e sotme ka qenë e pasaktë. KLD thotë se vendimi për leje është marrë me kuorum të plotë dhe se vetë gjyqtari Gjonaj nuk ka votuar.
Tv Klan