Këshilli bashkiak i Roskovecit është përfshirë ditët e fundit në një debat lidhur me shkarkimin ose jo të kryebashkiakut të qytetit, Ylli Kola.
Shkak për këtë është bërë mungesa e tij në detyrë prej më shumë se 6 muajsh. Në mbledhjen ku merrte pjesë edhe prefekti i qarkut të Fierit, Shahin Bejdaj, këshilltarët e djathtë kanë akuzuar përfaqësuesit e së majtës se kanë vonuar qëllimisht shqyrtimin e kërkesës për shkarkimin e kryetarit të bashkisë, edhe pse sipas tyre ai ka shkelur të gjitha afatet për rikthimin në punë.
Gafurr Toro: “I kam folur kryetares që të më japi datën e saktë të largimit të kryetarit të bashkisë, gjë të cilën edhe sot që jemi këtu ballë për ballë bashkë nuk e kam marrë, ndaj e sundojnë bashkinë, e sundojnë sepse kryetari duhet të vijë dhe t’i shërbejë këtij komuniteti”.
Majlinda Bufi: “Të gjithë jemi dëshmitarë që këshilli i bashkisë i ka realizuar funksionet e tij. Ka qenë një nga këshillat e para në rrethe, besoj, që ka miratuar buxhetin”.
Pas shumë debatesh këshilli bashkiak refuzoi që t’i propozojë këshillit të ministrave shkarkimin e kryetarit të bashkisë, Ylli Kola.
Me nëntë vota pro, këshilltarët e së majtës hodhën poshtë kërkesën e demokratëve, vendim që sipas prefektit është i paligjshëm.
Shahin Bejdaj: “Ky është një vendim që nuk përputhet me ligjin. Këshilli duhet ta rishikojë sërish dhe në rast se ai lë në vend vendimin e parë, prefekti pastaj bën ankimim në gjykatë”.
Kryebashkiaku mungon në detyrë që prej datës 1 Shtator. Për arsye shëndetësore ai ka shtyrë disa herë rikthimin në punë, gjë ka krijuar probleme në marrjen e vendimeve përsa i përket infrastrukturës dhe investimeve në këtë qytet./tvklan.al