Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Çështja e kompensimit të të përndjekurve politikë, mbetet e hapur. Komisioni parlamentar i ekonomisë ka kërkuar opinionin e komisionit të ligjeve, për mënyrën e kompensimit të kësaj shtrese.

Konkretisht janë hedhur për diskutim dy mënyra të kompensimit. Kompensimi për ditë burgu, sipas kodit penal që arrin 34 mijë lekë i propozuar dhe i mbështetur nga të përndjekurit politikë dhe opozita. Ndërsa drafti i propozuar nga qeveria, konsiston në asistencën mujore që shkon nga një mijë deri në pesë mijë lekë në muaj.  

Përfaqësues të të përndjekurve politikë kanë konsideruar propozimin e qeverisë për asistencën mujore, si të papranueshëm.

Hartuesit e propozimit qeveritarë kanë deklaruar, se sistemi i asistencës financiare është huazuar nga eksperienca të vendeve të tjera të lindjes. Ministri i Financave ka deklaruar, se ky është i vetmi skenar i përballueshëm financiar për buxhetin e shtetit./tvklan.al