Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Banesat në zonat informale do të kryejnë për legalizimet pagesa të diferencuar, sipas projektligjit të ri. Banorët e zonave informale, do të paguajnë për 300 metër katror truallin tek pronari ose tek shteti, si dhe taksën e legalizimit prej 4% të vlerës së ndërtimit. Për sipërfaqet mbi 300 m2 dhe ndërtesat me disa kate, do të aplikohen pagesa të diferencuara.

Artan Lame: “Jo çdo, jo të gjitha këto zona informale janë të banuara nga njerëz që nuk kanë aftësi financiare për të përballuar detyrimet. Për çudi, në shumë nga këto zona kemi ndërtime që janë të paimagjinueshme edhe për shumë prej nesh, kur i shohim se ku banohet, si nivel i lartë desha të them. Nuk janë të papërballueshme, ndoshta momentalisht natyrisht që çdo qytetar, po t’i kërkohet e gjithë shuma mund t’i dorëzohet, por e skalionuar në kohë dhe hajt të gjejmë mjetet është e përballueshme nga çdo lloj, ose nga shumica e këtyre banorëve”.

Opozita, por edhe OSBE-ja kanë prezantuar vërejte për këtë projektligj, sidomos, në lidhje me kostot shumë të larta.

Ridvan Bode: “Qeveria detyrimisht duhet të shpreh, për një kosto në përballimin e likuidimit përmes një norme interesi favorizuese, diferencën ta përballonte qeveria, por mendoj që gjithë ligji është parë pak me agresivitet dhe jo në funksion të zgjidhjes së plotë të problemit”.

Ligji i legalizimit të zonave informale, po diskutohet në komisione parlamentare. Hartuesit e ligjit deklarojnë se do të ketë dhe shembje të ndërtesave në bazë të planeve të parashikuara urbanistike për infarstrukturën. Aktualisht, hartuesit e ligjit e kanë të vështirë që të parashikojnë se sa kohë do të zgjasë procesi i legalizimit./tvklan.al