Projektligji për administratën gjyqësore u shoqërua me debate në komisionin e ligjeve pas kërkesës së bërë nga kryetarja e shoqatës kombëtare të gjyqtarëve, Manjola Bejleri, për pezullimin e shqyrtimit nga ana e kuvendit.

Kjo kërkesë u bë me argumentin se shkelet hapur pavarësia e gjyqësorit duke e vënë administratën në shërbim të Ministrit të Drejtësisë.

Manjola Bejleri: “I kërkojmë kuvendit të republikës së Shqipërisë që të pezullojë procedurën e shqyrtimit të projektligjit për administratën gjyqësore deri në përfundim të shqyrtimit të kërkesës së shoqatës kombëtare të gjyqtarëve nga Gjykata Kushtetuese. Vërehet qartë se administrimi i shërbimeve në gjykatë i kryesuar nga kancelari i gjykatës në fakt do të thotë që ky administrim është nën varësi direkte vertikale të Ministrit të Drejtësisë.”

Por këto pretendime u kundërshtuan nga përfaqësues të kancelarëve të gjykatave, sipas të cilëve ky ligj synon bashkërendim të punës dhe aspak uzurpim kompetencash.

Arbena Veli: “Ky projektligj e cilëson përgjegjësinë e kryetarit të gjykatës, cilëson përgjegjësinë e kancelarit dhe unë po ju them që në të gjitha gjykatat e shkallës së parë, gjykatat e rrethit gjyqësor, gjykatat e apelit, që nga gjykatat punohet dhe ka një bashkërendim të punës së kryetarit të gjykatës, të kancelarit, të sektorit të buxhetit, pra nuk ka asnjë konfrontim.”

Pretendimi i ngritur nga Bejleri për pezullim të shqyrtimit të projektligjit nuk arriti të marrë konsensusin e mazhorancës, ndërkohë që opozita artikuloi se i gjithë diskutimi ngrihej mbi një frymë konfliktuale.

Ilir Rusmali: “Ky është komisioni i ligjeve i kuvendit. Në qoftë se do t’ia drejtoja kuvendit duhet të shkohej në rrugë të tjera, e para. E dyta, në qoftë se kërkon që komisioni i ligjeve të pezullojë shqyrtimin e këtij projektligji të them paraprakisht që kërkesa jote nuk mund të pranohet”.

Fatmir Xhafa: “Ne kemi pasur një frymë të mirë bashkëpunimi në ligjin për organizimin gjyqësor. Mënyra se si po menaxhohet kjo mbledhje sot, fryma konfliktuale që po krijohet nuk i shërben kësaj dhe këtij qëllimi të mirë që ne jemi ulur në tavolinë dhe që reflektuan nëpërmjet përfaqësuesit tonë me parashtresën konkrete së majtë. Në qoftë se do të vazhdohet kështu unë nuk mendoj se do të mund të kemi një marrëdhënie konsensuale, marrëdhënie pune”.

Kërkesa e shoqatës së gjyqtarëve vjen pas dërgimit në Gjykatën Kushtetuese të projektligjit për administratën gjyqësore ku kërkohet pezullimi i dy neneve me pretendimin se cenohet rëndë pavarësia e gjyqësorit si dhe parashikohet varësia e kancelarit dhe administratës gjyqësore nga Ministri i Drejtësisë./tvklan.al