Emisioni Opinion ka sjelle mbrëmjen e së hënës një nga debatet më të nxehta që ka përfshirë qarqet politike, por dhe sociale në Shqipëri. Çështja Pango, është trajtuar në një tjetër prizëm, krahas diskutimit të gjerë që prodhuan pamjet filmime, ku ish-ministri si shkëmbim për një vend pune kërkonte shërbime seksuale.
Në një panel me analiste politikanë në praninë e kryetares së Këshillit Kombëtar të Radio dhe Televizioneve, por dhe me një lidhje te direkte nga Prishtina, debati në opinion u fokusua tek hapësirat ligjore që ka media për të hetuar në jetën private të një shtetasi. Nën titullin “Rasti Pango përgjimi dhe media”, opinion do të sillte një debat interesant mbi këtë çështje ku argumentimet do të bazoheshin ndër të tjera edhe tek kodi penal i republikës së Shqipërisë.
Neni 121 i kodit, flet mbi ndërhyrjen e padrejte në jetën private dhe citon shprehimisht:
“Vendosja e aparaturave që shërbejnë për dëgjim apo regjistrim të fjalëve ose të figurave, dëgjimi, regjistrimi ose transmetimi i fjalëve, fiksimi, regjistrimi ose transmetimi i figurave, si dhe ruajtja për publikim apo publikimi i këtyre të dhënave që ekspozojnë një aspekt të jetës private të personit pa pëlqimin e tij, përbën kundravajtje penale dhe dënohet me gjobë ose burgim gjer në dy vjet.”
Të ftuarit e gazetarit Bledi Fevziu ofruan optikën e tyre mbi këtë çështje:
Mesilda Doda: “Sot diskutimi është, a është e drejtë të vendosësh kamera në vende publike apo nuk është e drejtë të vendosësh kamera në vende publike. A është e drejtë të vendosësh kamera në shtëpinë e tjetrit apo jo, kjo është absolutisht e padiskutuar që kamera nuk mund të vendoset dot në shtëpinë e tjetrit. Në këto raste çfarë parimesh kemi shkelur:
1. Është shkelur parimi i privatësisë.
2. Është shkelur parimi i shtetit nuk është në asnjë rast, në asnjë rast te Fiksi nuk ka shkuar kurrë as te prokuroria as te gjykata, janë dosje që shumë herë ti vërtetë mund të përfundosh që të dalin në ekran, po shumë herë mund të përfundojë që mund të mos dalin fare në ekran dhe kthehet në mjet shantazhi. Kush është ky institucion i shtetit shqiptar i cili e kontrollon këtë investigim, asnjeri sepse në shtetin shqiptar ka një vakum të madh që është garanti i privatësisë.”
Mentor Nazarko: “Nuk është e zgjidhur qartësisht, ku mbaron e drejta e privatësisë, madje e drejta e privatësisë gjithmonë ka qenë duke u tkurrur, sepse është interesi publik në lojë, në momentin kur ka interes publik atëherë shkelet e drejta e privatësisë. Unë jam dakord me ju që është shkelur e drejta ligjore e privatësisë.”
Aleksadër Frangaj: “E thua ti, po ç’thotë gjykata, ç’thotë ligji.”
Erjon Veliaj: “Dhe për njëherë publiku shqiptar kërkoi të zhbironte atë që thotë Berati, ore si punësohen njerëzit në Shqipëri? Dhe sot ajo që bëri Fiksi, për mua meriton një pulicer, sepse i tregoi publikut, ja hapi një dritare se si funksionon.”
Aleksadër Frangaj: “Pse të gjithë në Shqipëri ashtu merren në [unë, ashtu mendon ti. Dmth të gjithë vajzat dhe gratë që janë marrë në administratën shqiptare në punë kanë shkuar nëpërmjet shefave?”
Edi Paloka: “Mbas kësaj ngjarje deputetë të PS-së më kapën mua dhe të tjerët dhe thanë: Prit, prit se kemi një tjetër që do ta transmetojmë mbas një muaji. Atëherë këtu i bie që nuk qenka investigim gazetaresk mor zotëri, qenka sigurimesk.”
Aleksadër Frangaj: “Detyra e medias për t’i denoncuar këto shkelje, korrupsione, korruptive, bla, bla, bla, nuk është vetëm kamera e fshehtë dhe në shtëpinë e tij për më tepër. Në qoftë se kishte denoncime, rrinte te dera e ministrisë të kapte sa më shumë vajza që dilnin nga ministria dhe ankoheshin për ministrin siç ju ankuan vajzat në “Fiks Fare” dhe t’i botonte në gazetë. Vajza A.F denoncoji që ministri më tha hajde në shtëpi në darkë, kjo lë të kuptojë që ministri shpërdoron me detyrën, por në asnjë rast kjo nuk ta jep të drejtën ty t’i fusësh kamerën e përgjimit të policisë sekrete.”
Mustafa Nano: “Unë jam dakord me ndjeshmërinë tënde juridike edhe me ndjeshmërinë e të tjerëve. Le të më kapi me Fidelin duke dhënë lekë, le të më kapi ç’a të dojë.”
Aleksadër Frangaj: “Nuk e kam ndjeshmëri juridike, e kam ndjeshmëri publike, po të lexosh nëpër webside janë me mijëra emaile që denoncojnë këtë akt regjistrimi në mënyrë të sigurimit të shtetit. E denoncojnë, merre lexoje.”
Mustafa Nano: “Jo, jo shqiptarët janë të kënaqur.”
Aleksadër Frangaj: “Nuk e mbroj Ylli Pangon, ik ti bashkë me Pangon, nuk më hy në punë Pango, nuk e mbroj Pangon. Do ta them prapë? Problemi është çfarë ndodh nesër?”
Mustafa Nano: “Ka ikur Pango, por dukuria mbetet këtu mor ti, e kupton ti.”
Aleksadër Frangaj: “A duhet ta pranojmë që ne të përgjohemi në krevat me çimka edhe sot në vitin 2009.”
Erjon Veliaj: “Jo në qoftë se s’ke interes publik zotëri.”
Aleksadër Frangaj: “Kush e ndan interesin publik dhe jo publik? Këtë e ndan ligji nuk e ndan ti mor zotëri.”
Mesilda Doda: “Edhe neve nëse nuk e kuptojmë që “Fiksi” nuk do e ndryshojë gjendjen do e ndryshojë shteti shqiptar, ai shtet që kemi një nga një do të fillojë t’i ndryshojë gjërat.”/tvklan.al