Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar Afrim Qëndro thotë se nuk ka asnjë përgjegjësi për skandalin me kompaninë “DH Albania”, që kishte fituar tenderin e ndërtimit të lotit të parë të Unazës së Re me dokumente të falsifikuara.
Në emisionin “Opinion” në Tv Klan u diskutua pikërisht për skandalin në Unazën e Madhe. I ftuar në studio, Afrim Qëndro thotë se kompania i kishte dokumentet në rregull dhe thotë se ai vetë dhe stafi i tij ka vepruar në zbatim të ligjit.
Afrim Qëndro: Ligji thotë që në një garë e cila është e hapur, kompanitë paraqesin dokumente zyrtare që kërkohen në kushtet e garës të bëra publike. Kontakti që kam pasur unë ka qenë kontakti kur unë kam firmosur kontratën. Gara është e hapur dhe në garë lejohet që të marrin pjesë kompani të vendit dhe kompani të huaja. Një kompani e cila ka paraqitur gjithë dokumentin zyrtar, është dokumentacion i plotë, i saktë dhe në plotësim me gjithë ligjin shqiptar. Unë pyeta ç’është kjo kompani dhe më treguan gjithë CV-në e dokumentacionit. Gara në ARRSH ka qenë afërsisht 20 milionë Euro.
Blendi Fevziu: Ti si drejtor i rrugëve pyet për kompaninë që i jep 20 milionë Euro?
Afrim Qëndro: Një amerikan që ka një CV shumë herë më të mirë se shqiptarët… Unë kaloj në shpërdorim detyre kur shkel ligjin.
Në debat është përfshirë edhe deputeti i Partisë Demokratike Agron Shehaj, i cili ka akuzuar drejtorin e ARRSH dhe thotë se tashmë duhet të ishte në burg.
Agron Shehaj: Zotëria duhet të ishte në burg. Ky tani jo vetëm që nuk është në burg, vjen këtu dhe pa turp na bën të gjithëve për budallenj, edhe thotë ça keni ju që acaroheni. Vjedhje nuk ka patur thotë. Bën edhe dallimin midis vjedhje dhe tentativë vjedhje. Ti zotëri duhet të ishe në burg.
Afrim Qëndro: Për çfarë? Çfarë kam vjedhur? Çfarë do thuash?
Agron Shehaj: Hajdutët si puna juaj nuk arrestohen vetëm po u kapën me mallin të vjedhur, arrestohen edhe në tentativë, ti je një hajdut i rëndomtë. Sa ke vjedhur ti në tenderat e tjera?
Afrim Qëndro: Unë dhe stafi im nuk kemi asnjë përgjegjësi për shkak se dikush falsifikon. Moralisht kam përgjegjësi nëse unë nuk do kisha reaguar.
/tvklan.al